Ministrja e Mbrojtjes së Francës, Florence Parly, gjatë vizitës së saj në kontingjentin e NATO-s në Rumani dhe kampin ku ndodhen ushtarët francezë, tha se lufta është në derën e Evropës dhe kërkoi që ajo të mos lejohet të hyjë në kufijtë evropianë, transmeton Kosova Post.
Parly e shoqëruar nga presidenti rumun, Klaus Iohannis, kryeministri, Nicolae Ciuca dhe ministri rumun i Mbrojtjes, Vasile Dincu vizitoi bazën “Mihail Kogălniceanu” në Rumani, pranë portit të Constanta-s, ku ndodhen ushtarë nga 7 vende.
Në fjalimin e saj, ministrja franceze kujtoi se janë 500 ushtarë francezë në bazë si pjesë e elementeve të Forcave të Reagimit të NATO-s. “Në këto kohë të pasigurta, ne ndajmë të njëjtën vendosmëri për të garantuar sigurinë e kontinentit tonë. Ne tregojmë unitet të palëkundur ndaj Rusisë me përpjekjet tona të mbrojtjes kolektive”, tha ajo.
Duke theksuar se vendi i saj kontribuoi në këto përpjekje duke dërguar trupa në Rumani, personel ushtarak në Estoni dhe avionë në qiejt e Rumanisë, Polonisë dhe vendeve baltike, Parly tha se si aleatë të NATO-s dhe evropianë, ata janë krenarë që i përkasin një kontinenti të lashtë që mban erë kulture dhe historie.
Ajo shtoi se kontinenti evropian ka qenë dëshmitar i dhunës në shekullin e kaluar. “Lufta është në derën e Evropës, të mos e lëmë të hyjë brenda”, tha Parly.
Që nga 24 shkurti, kur Rusia sulmoi Ukrainën, Franca dhe Belgjika kanë dërguar urgjentisht 800 trupa në bazën e NATO-s në Constanta.aa.