Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka kundërshtuar pjesëmarrjen e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, e cila po mbahet në Londër, transmeton Kosova Post.
Siç njofton ministria kosovare, Gërvalla-Schwarz është pyetur në këtë konferencë nga panelistët për mangësitë e Kosovës në raport me dhënien e ndihmës për viktimat e dhunës seksuale në konflikt, derisa ajo refuzoi të përgjigjej për shkak se “në të njëjtin panel, para saj, ishte ftuar të flas edhe homologu serb, Ivica Daçiq.
Gërvalla-Schwarz tha se Daçiq “është një nga autorët e këtyre krimeve, si dora e djathtë e diktatorit Slobodan Milosheviq”, derisa për këtë ajo u duartrokit nga të pranishmit në sallë të cilët shumica ishin gra dhe viktima të dhunës seksuale në konflikte.
“Jam pak e shokuar nga përbërja e panelit të fundit, me prezencën e arkitektit kryesor për kryerjen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ta kemi këtu arkitektin kryesor, që të na tregojë këshilla, në prani të viktimave dhe të mbijetuarave të kësaj dhune, na vë në mëdyshje që të mendojmë për vetë kuptimin e kësaj konference”, deklaroi Gërvalla-Shwarz.
Ajo shprehu dilemën se si mund të flitet për mangësitë e trajtimit të këtyre rasteve të dhunës në Kosovë, kur “përballë të mbijetuarave të dhunës seksuale në konflikt ulen kryerësit e krimeve të dhunës seksuale”.
“Në vendin ku jam ulur unë, ishte një nga kryerësit e këtyre krimeve. Dhe kjo duhet të ndryshojë”, tha ministrja Gërvalla-Schwarz.
Gjatë punimeve të konferencës, Gërvalla-Shwarz do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me homologë, përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse dhe të organizatave ndërkombëtare.
Konferenca, e cila mbahet më 28 dhe 29 nëntor në Londër, përqendrohet në reagimin global ndaj dhunës seksuale në konflikt, parandalimin e saj, mbështetjen e të mbijetuarve dhe fëmijëve të lindur nga dhuna seksuale në konflikt, si dhe në nxitjen e veprimeve dhe praktikave më të mira për të krijuar përgjegjësi ndaj autorëve të kësaj dhune.
Në këtë konferencë, ministrja Gërvalla-Schwarz merr pjesë me ftesë të Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverly.