Ministrja gjermane e Familjes, Anne Spiegel, ka njoftuar dorëheqjen e saj pasi raportet e mediave zbuluan se ajo ishte për pushime në Francë, menjëherë pas përmbytjeve të vitit të kaluar që shkatërruan pjesë të shtetit të saj Rhineland-Pfalz, transmeton KosovaPost.
Spiegel, një nga politikanet më të njohura nga të Gjelbrit, tha se ajo vendosi të japë dorëheqjen nga posti për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të zyrës, e cila ditëve të fundit u përball me sfida të mëdha politike.
“Falënderimet e mia të mëdha shkojnë për të gjithë ata që më mbështetën në solidaritet dhe veçanërisht për ekipin tim”, tha Spiegel.
Politikania 41-vjeçare ishte zv/kryeministre dhe ministre e Mjedisit e shtetit jugperëndimor Rheinland-Pfalz verën e kaluar kur përmbytjet e rënda shkaktuan vdekjen e 130 personave dhe dëme të mëdha.
Sipas një raporti nga e përjavshmja ‘Bild am Sonntag’, Spiegel realizoi një pushim prej 4-javësh në Francë menjëherë pas përmbytjeve dhe nuk u kthye në rajon, edhe pse qytetet e prekura nga përmbytjet po përpiqeshin të pastronin dëmet.
Dje, Spiegel kërkoi falje për sjelljen e saj, por u tha gazetarëve se familja e saj kishte nevojë për këtë pushim, pasi fëmijët e saj të vegjël kishin vështirësi gjatë kufizimeve të koronavirusit COVID-19 dhe se ajo duhej të gjente një mënyrë për të reduktuar stresin për burrin e saj, i cili pësoi një goditje në tru disa vite më parë./AA