Në konferencën e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, është pyetur nëse ia lejojnë kompetencat, shkarkimin e Kryeprokurorit të Shtetit, raporton Kosova Post.
Pas skandalit të incizimeve i cili ka shpërthyer këto ditë, me ç’rast u shkarkua edhe Drejtori i Inteligjencies Financiare i Kosovës Dardan Nuhiu, Ministrja Albulena Haxhiu ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme.
Gazetarët e kanë pyetur rreth raporteve zyrtare që MD i ka me institucionet relevante, dhe nëse i posedon kompetencat për ta shkarkuar Prokurorin e Shtetit.
“Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore dhe kushtetuese për ta bërë shkarkimin e Kryeprokurorit të Shtetit, kjo i takon Këshillit Prokurorial të Republikës së Kosovës” – ka thënë ajo.
Sipas saj, është në përgjegjësinë e tyre, për të zgjedhur dhe shkarkuar këtë autoritet.
Ajo po ashtu ka thënë se informacionet rreth kësaj çështjeje, janë ende të kufizuara, por që do të bëjë çdo gjë për ta vënë drejtësinë në vend./KosovaPost/