Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas raportimeve se një vajzë 18-vjeçare ka vdekur pasi që dyshohet ishte keqtrajtuar nga dy persona.
Haxhiu thotë se për rastin kanë mësuar nga mediat, e se dhuna e këtyre përmasave është alarm që të mobilizohen institucionet.
Tutje ka shkruar ministrja Haxhiu se rastet e dhunës duhet ti trajtojmë me prioritet dhe se dhuna duhet të dënohet ashpër.
“Është e domosdoshme të veprojmë, pa vonesa, e me përkushtim maksimal. Cenimi i lirisë, qoftë përmes ngacmimeve seksuale, shantazheve e deri te dhuna ndaj grave apo kujtdo tjetër, është e papranueshme dhe si e tillë duhet të trajtohet, pa kompromis ndaj dhunës, e me dënimin e merituar ndaj dhunuesve”, ka shkruar ministrja Haxhiu në Facebook.
Postimi i plotë:
Dje nga mediat mësuam se një tjetër dhunim ndaj një vajze të re 18 vjeçare ka përfunduar me fatalitet.
Dhuna e këtyre përmasave është alarm që duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e tilla, kurse dhunuesit të vihen përballë drejtësisë. Inkurajimit të qytetarëve për të raportuar dhunën, duhet t’i përgjigjemi me veprime konkrete, në gjetjen e dhunuesve dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë”, thotë Haxhiu.
Është e domosdoshme të veprojmë, pa vonesa, e me përkushtim maksimal. Cenimi i lirisë, qoftë përmes ngacmimeve seksuale, shantazheve e deri te dhuna ndaj grave apo kujtdo tjetër, është e papranueshme dhe si e tillë duhet të trajtohet, pa kompromis ndaj dhunës, e me dënimin e merituar ndaj dhunuesve. Ky fenomen duhet të luftohet pareshtur. Dhuna nuk mund të normalizohet, si rrjedhojë duhet të dënohet ashpër.