Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, u është kundërpërgjigjur kritikave të deputetëve opozitarë, në lidhje me çështjen e gazit, transmeton Kosova Post.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme të sqarohen disa gjëra, meqë në opinion po qarkullojnë shumë të pavërteta:
“Mendoj që keni bërë shumë mirë që e keni ftuar këtë debat sot, për t’i qartësuar disa gjëra, megjithëse i kemi pasur disa diskutime dhe disa paraqitje mediale për këtë çështje, mendoj që ka shumë nevojë të trajtohet më tej meqë niveli i keqinformimit dhe paqartësive në lidhje me këtë projekt është mjaft i madh.”
Më tutje ajo tha se:
“Së pari, më lejoni të ju informoj se sot në mëngjes, në mënyrë publike dhe ceremoniale, së bashku me Kryeministrin Kurti, kemi shënuar fillimin e punës në strategjinë kombëtare të energjisë 2022 – 2031, dhe e kemi prezantuar vizionin e kësaj strategjie për dekarbonizim, deri në vitin 2050, ndërkohë që e ruajmë sigurinë energjetike dhe përballueshmërinë për konsumatorë.”
Qëllimi i strategjisë, sipas saj, është ruajtja e energjisë së pastër dhe sigurimi i saj nëpërmjet rrugëve të tjera alternative.
“Kjo do të jetë strategjia e parë që do të mbështetet në të dhëna e studime”, dhe e para që do t’i merr parasysh interesat e palëve të tjera si bizneset dhe qytetarët.
Prapa kësaj strategjie, sipas saj, qëndrojnë edhe vetë ShBA-të, bashkë me organizatat e saj (si USAID), që veprojnë në Kosovë.
“…jo vetëm që na kanë përkrahur, por janë zotuar që të na përkrahin edhe më tej në rrugën tonë për tranzicion energjetik” – tha ajo.
Debati në kuvend është ftuar nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Deputetët opozitarë, e kanë kritikuar Qeverinë Kurti për shmangie të këtij projekti, duke e akuzuar atë madje për prishje të raporteve me ShBA-të.
Granti i MCC-së sipas Qeverisë Kurti, nuk e specifikon gazin si element të vetëm, nëpërmjet të cilit duhet të implementohet strategjia e dekarbonizimit të prodhimit të energjisë./KosovaPost/