Disa bashkësi fetare në Kosovë i janë bashkëngjitur Ministrisë së Shëndetësisë në fushatën për vaksinim kundër koronavirusit.
Bashkësia Islame e Kosovës, përveçse ka bërë thirrje për vaksinim, ka marrë pjesë edhe në organizmin e vaksinimit në xhami, përmes ekipeve mobile.
Më 19 nëntër, pas faljes së Xhumasë, në disa nga xhamitë më të mëdha të Kosovës janë vaksinuar dhjetëra besimtarë myslimanë, ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, thotë për Radion Evropa e Lirë se parimet islame i urdhërojnë besimtarët myslimanë që të vaksinohen.
“Nëse nuk vaksinohemi, edhe mëkatojmë pa dashje, pasi i bëjmë keq tjetrit”, thotë Tërnava, raporton Radio Evropa e Lirë.
Myftiu, i cili vetë është vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, thotë se së paku dhjetë rituale të Xhumasë në 800 xhami të Kosovës i janë kushtuar çështjes së vaksinimit dhe respektimit të masave kundër koronavirusit.
Sipas tij, asnjë nga imamët e xhamive që janë në kuadër të BIK-ut, nuk kanë dalë kundër vaksinimit.
“Individë mund të ketë, por edhe ata nuk e njohin fenë. Sikur ta njohin fenë sa duhet, nuk do të thoshin ashtu”, thotë Tërnava.
Sylejman Berila, i cili të premten e 3 dhjetorit kishte shkuar për të falur Xhumanë në njërën prej xhamive të Prishtinës, tha se është vaksinuar.