Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, derisa po raporton para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Siguri, ka thënë se për tetë muaj udhëheqje ka rritur kapacitetet e FSK-së në burime njerëzore dhe pajisje ushtarake.
Ndërsa ka folur për rritjen e kapaciteteve në FSK, Mehaj ka folur edhe për modernizimin e ushtrisë, për çka tha ai se janë blerë pajisje ushtarake në vlerë 32 milionë euro.
Mehaj, ka treguar se ky investim është bërë kryesisht në blerjen e autoblindave, dronëve, snajper, por edhe pajisje të tjera.
Ndërkohë, Mehaj ka folur edhe për shtimin e resurseve njerëzore në FSK, ndërsa tha ai se janë rekrutuar rreth 1240 ushtarë të ri në FSK.
“Për ta moderinizuar ushtrinë kemi blerë pajisje ushtarake nga SHBA. Blerjet janë të sigurta, realizim konkret dhe garanci më të madhe. Në total për këto 8 muaj vlera e pajisjeve e kap shifrën e 32 milionë euro. Në këtë blerje përfshihet autoblinda, armatime, snajperë, dronë edhe të tjera, por nuk mund t’i them para mediave. Ne kemi arritur numrin me 1240 pjesëtarë të ri të FSK-së”, tha ministri Mehaj.
Ai para deputetëve vuri në pah edhe bashkëpunimin me SHBA. “Kurrë më mirë nuk kemi pas bashkëpunimin me SHBA-të. Këtë munden me konfirmuar edhe vet ata”, tha Mehaj.