Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot dhe ditëve në vijim, mbi vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm me vranësira, reshje shiu e më pas edhe reshje bore.
Vranësirat fillimisht do të shoqërohen me riga të dobëta shiu për të rikthyer më tej në reshje mesatare dhe të dendura bore.
Nga kushtet klimatike dhe relievit që ka vendi ynë, reshjet nuk do të jenë me intensitet të njëjtë në gjithë territorin.
Më të theksuara priten të jenë në pjesën veriore të Dukagjinit dhe viseve të larta malore, mirëpo reshjet e borës nuk do të mungojnë edhe në viset mesatare dhe ato të ulëta.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -8 deri në -2 gradë Celsius, derisa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet -1 deri në 3 gradë Celsius.
IHK ka rekomanduar nga ngasësit e automjeteve të kenë kujdes gjatë pjesëmarrjes në rrugë, për shkak të ngricave që do të shkaktohen si pasojë e temperaturave të ulëta.
Prezenca e rrezeve të diellit nga dita e enjte do të krijojë kushte që të krijohet mjegulla e dendur po thuaj në gjithë territorin.
Gjithashtu era nga drejtimi i veriut dhe verilindjes e cila do të jetë e lehtë dhe lokalisht e fortë do ta mbajë ketë gjendje termike e cila do t’i gjasojë stinës që jemi”, ka bërë të ditur IHK