Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se dëshirojnë të informojnë lidhur me gjendjen sa i përket furnizimeve me barna dhe material shpenzues në sektorin publik, përkatësisht në Kujdesin Parësor Shëndetësor që furnizohen nga ministria dhe programet e veçanta.
Në njoftimin e MSH-së thuhet se buxheti i alokuar për programin farmaceutik të MSh-së dedikuar për furnizim të institucioneve shëndetësore me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale për vitin 2021 është 5,550,000.00 euro, ndërsa ai i vitit 2020 ka qenë 11,476,913.90 euro.
“Lista Esenciale për furnizim të nivelit primar numëron gjithsej 282 artikuj prej të cilëve 206 janë barna, ndërsa 76 material shpenzues. Numri momental i kontratave të nënshkruara për barna është 24, apo shprehur në përqindje 11.65 %. Numri momental i kontratave të nënshkruara për material shpenzues është 12, apo shprehur në përqindje 15.79 %”.
“Numri i artikujve që Ministria e Shëndetësisë momentalisht i ka në dispozicion është 109, apo shprehur në përqindje 38.6 %. Sipas kësaj, qëndrueshmëria e artikujve që MSh ka në dispozicion (109) për shumë artikuj është jo më e madhe se gjashtë muaj (do të shpenzohen brenda kësaj periudhe)”.
Sipas MSH-së, bazuar në të dhënat më lartë, vlerësohet se vijueshmëria e furnizimit të rregullt me barna dhe material shpenzues nga lista esenciale gjatë këtij viti rrezikohet seriozisht.
“MSh është duke u angazhuar maksimalisht që ta përmirësojë këtë situatë përmes veprimeve konkrete dhe, pas analizimit të hollësishëm të arsyeve qëe kanë krijuar këtë situatë, do të marrhapa konkret, që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm i institucioneve shëndetësore të nivelit parësor (QKMF-ve) me artikujt e nevojshëm nga Lista Esenciale e Barnave”, thuhet në njoftim.