Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka reaguar pas pamjeve të tollovisë para sallës “1 Tetori” ku qytetarët po kërkojnë të vaksinohen.
“Njoftohen qytetarët që të kenë parasysh se në Prishtinë në sallën “1 Tetori” vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës në bazë të rekomandimeve konform Planit Shtetëror të vaksinimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Grumbullimet e krijuara sot para sallës ‘1 Tetori’, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre’.
MSH-ja ka kërkuar nga qytetarët e komunave të tjera që të shkojnë në qendrat e vaksinimit në komunat e tyre dhe të informohen aty, si dhe t’i përcjellin njoftimet e kësaj ministrie në mënyrë që t’i shmangin grumbullimet e tilla.
“Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen”.
“Meqë vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”.