Armend Muja nga Grupi Parlamentar i VV-së, ka thënë se vendosmëria e Qeverisë për zbatim të ligjit dhe sovranitetit në veri të vendit ka prodhuar efektin e arritjes së marrëveshjes së mbrëmshme në Bruksel.
Në seancën parlamentare Muja, tha se pavarësisht marrëveshjes së arritur nuk duhet harruar që procesi do të jetë i vështirë.
“Ishte qasja dhe vendosmëria e Qeverisë së Kosovës për të ushtruar sovranitetin, zbatuar ligjin dhe luftuar strukturat kriminale në veri që kan prodhuar këto efekte. Luhatja e një ekuilibri të status-quos të sendimentuar ndër vite nuk është pa sfida. Përqëndrimi në ushtrimin e sovranitetit të brendshëm ka shpier edhe të planet dhe propozimet për përforcim dhe avancim të sovranitetit të jashtëm. Nuk duhet harruar që procesi do të jetë i vështirë dhe Serbia është akter i parashikueshëm dhe i pandershëm në raportet me Kosovën për këtë arsye kërkohet mbështetje”, tha ai.
Kurse kërkoi nga opozita që të mbështesë përpjekjet e Qeverisë për zbatim dhe vendosje të ligjit në veri të vendit.
“Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur çdo përpjekje të vendosjes së autoritetit të Kosovës dhe zbatimit të rendit dhe ligjit. Kërkojmë nga opozita që të reciprokoj këtë parim të rëndesishëm për avancim interesa të vendit”, shtoi ai.