Mustafa: Çështja e minatorëve të zgjidhet me ligj, serbët s’do të mund të ekzistonin jashtë Trepçës

Mustafa: Çështja e minatorëve të zgjidhet me ligj, serbët s’do të mund të ekzistonin jashtë Trepçës

Çështja e pensionimit të minatorëve të Trepçës duhet të rregullohet me ligjin për pensione dhe në bazë të standardeve evropiane, bën të ditur njohësi i çështjeve të ekonomisë, Muhamet Mustafa.

Mustafa thotë se rregullimi i statusit duhet të bëhet në bazë të disa kritereve. Madje, ai vlerëson se është shumë me rëndësi që çështja e minatorëve të zgjidhjet sa më shpejt.

Sipas Mustafës, aktualisht janë duke u bërë kërkesa të shumta e të panevojshme të cilat dëmtojnë buxhetin shumë më shumë se sa kërkesat e minatorëve.

“Por, me Ligjin për Pensione dhe me ligjet e tjera që i ka Kosova, statusi i Minatorëve duhet të rregullohet me standarde evropiane. Në mënyrën se qysh është rregulluar statusi i minatorëve në vendet evropiane, duhet të rregullohet edhe në Kosovë me ato standarde. Mendoj që na duhet t’i vendosim disa kritere dhe në bazë të tyre të veprojmë, sepse kemi filluar të shtrojmë kërkesa të ndryshme, të cilat nuk është fjala për minatorët këtu, sepse kërkesat e minatorëve nuk kanë aq peshë në Buxhetin e Kosovës sa kanë kërkesat e tjera që i bëhen dhe një ditë buxheti i Kosovës nuk mundet t’i durojë gjithë këto ngarkesa”, shtoi ai për eo.

Mustafa, i cili ka qenë kryetar i Komisionit të Zhvillimit Ekonomik mandatin e kaluar, ka thënë se Ligji për Trepçën do të funksionalizojë atë, duke e bërë që të veprojë si organizatë e veçantë.

“Unë mendoj se Ligji i Trepçës i ka krijuar mundësitë që Trepça të funksionalizohet dhe të operojë si një organizatë unike. Ligji duhet të zbatohet dhe minatorët kanë të drejtë që në ligj të jenë edhe shkritorja e plumbit dhe shkritorja e zinkut”, tha ai.

Mustafa është bindur se serbët nuk do të arrijnë që të pengojnë veprimtarinë e Trepçës, pasi ata nuk do të mund të ekzistonin jashtë saj.

“Serbët mund ta pengojnë që për një kohë të mos t’i çojnë përfaqësuesit e vet në bord…bordi i Trepçës duhet të funksionojë dhe ata gradualisht me kohën nuk do të munden të ekzistojnë jashtë Trepçës, sepse duhet të bashkëpunojnë me pjesën tjetër të Trepçës”, përfundoi Mustafa.