‘Mustafa Nano po të tregoj se cilat janë vajzat me b***!’

‘Mustafa Nano po të tregoj se cilat janë vajzat me b***!’

Mustafa Nano u shpreh ditën e djeshme në emisionin e tij “Provokacia” se gratë myslimane shqiptare nuk duhet ta mbajnë hijabin, pasi këto gra sipas tij janë frikacake dhe nuk i bëjnë ballë frymës laike në vend.

Kjo deklaratë ka sjellë mjaft reagime në media, dhe një ndër më personalet dhe më të sinqertat për t’u lexuar është ajo e gazetares Nadia Dosti (në fotografinë e mësipërme).

Dosti tregon përmes shkrimit të saj në tesheshi.com se “të akuzosh femrat myslimane se nuk kanë b*** është sikur të pohosh se një malësor është frikacak për nga natyra dhe se shqiptari është i pabesë në origjinë.”

Nga Nadia Dosti

Kjo vajza që shihni në foto jam unë. Jam në të 30-at dhe jam gazetare, po ashtu si Masih Alinejad, vetëm se me ca vite mbi supe më pak. Nuk kam shkruar ende një libër, por së shpejti po mendoj ta bëj (le ta shohim). Librin do e kisha titulluar “Mjaft u treguat femrave se çfarë të veshin”, frymëzuar nga nisma “Stop Telling women what To wear”.

Ndryshe nga Alinejad, unë nuk kam lindur në një vend ku mbulesa është e detyrueshme, madje e kundërta është e vërtetë. Kam lindur dhe jam rritur në Shqipëri, në një shoqëri paragjykuese ku sundon mentaliteti shtypës e patriarkal, ku njerëzit të imponojnë njëtrajtshmërinë dhe të paragjykojnë nëse guxon të jesh ndryshe; të vishesh ndryshe.

Pikërisht në këtë shoqëri të mbyllur e paragjykuese, ku ka plot seksizëm e ku femra shikohet si objekt dhe jo si individ me intelekt, unë pata b*** t’i them JO presionit shoqëror e të vë mbulesën islame. Pata b*** të sfidoj patriarkalizmin dhe seksizmin e një shoqërie, e cila edhe guximin e një femre e mat me organet e mashkullit.

Por ashtu si unë, edhe shumë mikesha të mia që kanë zgjedhur vetë të veshin hijabin, janë përballur me të njëjtën mendësi: me raste edhe duke përfunduar në spital nga dhuna e ushtruar nga të afërmit për të hequr hijabin. Ka pasur raste kur për shkak të shamisë janë përzënë nga shtëpia e janë mohuar si fëmijë.

E për çfarë?

Vetëm pse patëm guximin të jemi ndryshe. E sikur kjo të mos mjaftonte, femrat me shami janë përballuar edhe me ligje diskriminuese, me përjashtime nga shkolla, me heqje nga puna, me ofendime në rrugë. Pra me një shoqëri e cila ua ka mbyllur të gjitha shtigjet e që kërkon të na izolojë në çdo aspekt.

Më thoni ju tani, a nuk duhet b*** të zgjedhësh të sakrifikosh çdo gjë për hir të lirisë tënde dhe vullnetit për ta jetuar jetën ashtu siç do ti? A nuk duhet b*** të përballesh më dhunën e familjes dhe presionin e shoqërisë vetëm pse ti dëshiron të vishesh ndryshe?

Të akuzosh femrat myslimane se nuk kanë b*** është sikur të pohosh se një malësor është frikacak për nga natyra dhe se shqiptari është i pabesë në origjinë.

 

You may also like

Nesër në Prishtinë protestë për veturat

Përfaqësues të auto sallonëve në vend dhe dhjetëra