Ka dhjetë ditë që organet kompetente në Ministrinë e Brendshme kanë ndalë lëshimin e dokumenteve të identifikimit. Qytetarët kanë mbetur pa letërnjoftime dhe dokumente tjera, përcjell Kosova Post.
Në lidhje me këtë ka reaguar Dr. Mustafë Bajrami i cili ka shkruar se kjo vepër paraqet shqetësim të madh tek qytetarët e vendit.
Ai, në një postim në tij ka shkruar se qytetarët po ndjehen keq dhe vazhdimisht po bëjnë pyetje në lidhje me këtë anomali.
I kontaktuar nga redaksia jonë, në pyetjen se përse ka dalë me atë shkrim, ai ka thënë: “Përveç disa qytetarëve që kë kanë pyetur, unë kam edhe familjarë të cilët mbi dy javë po presin të marrin dokumentet e identifikimit, por më kot”.
“Jemi të shqetësuar me këtë veprim të pa tolerueshëm, të pajustifikueshëm”, ka thënë Dr. Bajrami.
Në fund të shkrimit ai ka shtruar këtë pyetje publike: Nëse nuk vijnë dokumentet e identifikimit deri në ditën e zgjedhjeve, si ka mundësi të votohet? A ka ndonjë zgjidhje apo duhet t’i shtrëngojmë dhëmbët edhe kësaj radhe e të durojmë?
Më poshtë gjeni postimin e plotë në llogarinë e tij në Facebook:
Ai thotë se sot ka marrë përgjigje nga zyra për dokumente të identifikimit se nga data 19 e muajit të kaluar nuk ka ardhur asnjë dokument identifikimi.
Shprehje shqetësimi dhe një pyetje shtesë!
Ka 10 ditë e më tepër që është ndërprerë dhënia e letërnjoftimeve. Zyrtarët përgjegjës më thonë se mund të mos jepen edhe deri pas zgjedhjeve. Kjo i bie që qytetarët të cilët kanë aplikuar për dokumente identifikimi do ta kenë vështirë ta japin votën e tyre në këtë referendum kaq të rëndësishëm.
Edhe pse nuk jam i prirë të paragjykoj, mendja e robit, siç thonë në Shqipëri, nuk rri rahat pa e menduar edhe më të keqen. Mos vallë dikush e bëri me qëllim që t’i pengojë qytetarët të votojnë, ka ndonjë dredhi tjetër aty, apo ndodhi si rastësi? Në të gjitha rastet, është i pa tolerueshëm ky veprim kaq i poshtër. I lus kompetentët që të ndërmarrin diçka deri ditën e premte.
Pyetja ime është: Nëse nuk vijnë dokumentet e identifikimit deri në ditën e zgjedhjeve, si ka mundësi të votohet? A ka ndonjë zgjidhje apo duhet t’i shtrëngojmë dhëmbët edhe kësaj radhe e të durojmë?