Sot në ditën kur ka nisë Epopeja e UÇK-së, Dr. Mustafë Bajrami ka dalë me një shkrim përmbajtjesor dhe shumë interesant për publikun, shkruan Kosova Post.
Ai ka përmendur disa punë dhe aktivitete që i ka kryer e për të cilat jo të gjithë shqiptarët i kanë dëgjuar deri më sot.
Që në fillim të shkrimit të tij. Dr. Bajrami ka përmendur kontributin e tij në realizmin e filmit dokumentar për Adem Jasharin të cilin e pati bërë kanali televiziv i njohur në botë, Al-Jazeera.
“Falënderoj Allahun që më pati dhënë mundësinë të jam pjesë e realizimit të filmit dokumentar për Adem Jasharin. Ishte dhe do të mbetet realizimi dokumentar më i fuqishëm që është bërë ndonjëherë në botë nga një televizion i huaj për luftën e UÇK-së dhe për heroizmin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij” ka shkruar Dr. Bajrami.
Megjithatë, shkruan ai, edhe pse kishte kontribuar drejtpërdrejtë në realizmin e këtij filmi, ai asnjëherë nuk u ftua në shenjë respekti nga organizatorët e evinementit “Epopeja e UÇK-së”.
Në pyetjen e redaksisë sonë, se përse ka ndodhur një gjë e tillë, ai shton: “Që nga pas lufta, pameritorët dhe politikanët makutë për famë e merita të rrejshme, kanë përvetësuar të gjitha punët që i kanë bërë të tjerët që nuk kishin pushtet e as mundësi për t’i treguar opinionit punët që i kanë bërë”. Mbase, thotë ai: “Nga këto punë të hajrit kanë përvetësuar politikanë të ndryshëm dhe e kanë shtrembëruar realitetin”.
Gjithashtu, Dr. Bajrami ka përmendur kalimthi edhe punët e tij që i ka kryer në Turqi, në Dubai dhe nëpër vende të tjera të botës.
“Megjithëqë kam kryer punë zyrtare në përfaqësimin e shtetit dhe kam udhëtuar në dhjetëra vende të botës për njohje të Kosovës, shteti im kurrë dhe asnjë cent nuk më ka paguar për punët që i kam bërë”, ka shtuar Dr. Bajrami.
Edhe pse i indinjuar për ato që i kanë ndodhë, ai thotë se është tejet i lumtur dhe krenar për punët që i ka bërë. I qofshin hallall të gjitha këto, ka thënë në fund Dr. Bajrami.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë në llogarinë e tij në Facebook:
Falënderoj Allahun që më pati dhënë mundësinë të jam pjesë e realizimit të filmit dokumentar për Adem Jasharin. Ishte dhe do të mbetet realizimi dokumentar më i fuqishëm që është bërë ndonjëherë në botë nga një televizion i huaj për luftën e UÇK-së dhe për heroizmin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij.
Me gjithë kontributet e mia morale, profesionale e materiale, si në realizim, si në udhëtimet që i kam bërë disa herë në relacione, Dubai-Katar-Sarajevë-Prishtinë, organizatorët e Epopesë së UÇK-së deri më sot asnjëherë nuk më kanë ftuar në evinemente përkatëse, le më të më drejtohen me ndonjë falenderim rasti për iniciativën dhe punën që kam bërë. Meritat i merrnin të pamerituarit që organizonin Epopenë dhe të ngjashme, ndërsa emrin tim nuk e përmendën asnjëherë. Mbase, qëllimshëm e bishtonin kontributin tim. Arsyen e dinë ata vetë.
Njëjtë kështu pushtetarët tanë kanë vepruar edhe ndaj kontributeve tjera që i kam dhënë nga Turqia, para, gjatë dhe pas lufte. Nga Dubai, nga Tajvani dhe nga gjetiu ku kam udhëtuar pikërisht për luftën dhe çka do që kam mund të bëjë edhe pas saj. Shteti i Kosovës mua nuk më ka paguar kurrë dhe asnjë cent as për punën kur zyrtarisht kam përfaqësuar atë për vite. E as nuk i kanë përmendur njohjet e Kosovës që i kam sjellë, direkt unë personalisht, apo indirekt duke përgatitur takime me organizma ndërkombëtarë dhe burrështetas me peshë në botë.
Të gjitha këto i kam bërë nga vullneti dhe nga dashuria ime për vendin, e shpenzimet e mëdha përgjatë kësaj kohe i kam paguar nga puna e djersa ime dhe e familjes sime.
I qofshin hallall të gjitha këto vendit tim. Dhe, paraprakisht i bëjë hallall edhe të tjerat që do të mund t’i bëjë në të ardhmen.
P/S: Në linkun më poshtë gjeni filmin dokumentar për Adem Jasharin (në dy pjesë), e zëri të cilin e dëgjoni në shqip, është zëri im.