Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se festa e Kurban Bajramit është njëri ndër momentet më të rëndësishëm të vitit për besimtarët myslimanë, që karakterizon therja e kurbanit dhe kryerja e haxhit.
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, në mesazhin publik, Tërnava tha se festat fetare në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë.
“Kjo qëndron edhe te festa e Kurban Bajramit, ngase në themelet e saj ka sakrificën, barazinë, solidaritetin dhe mirësinë, vlera këto që si askush tjetër, kjo festë i sjellë për besimtarët dhe për njerëzimin. Festa e Kurban Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme të vitit për besimtarët myslimanë, të cilën e karakterizon therja e kurbanit që është Ibadet i rëndësishëm për besimtarët, si dhe kryerja e haxhit si kusht i Islamit”, tha Tërnava në mesazhin e tij.
Tutje, Myftiu shtoi se lirimi i masave ndaj COVID-19 dhe ardhja e mërgimtarëve e bëjnë këtë ditë edhe më madhështore, por kërkoi respektim të masave që aktualisht duhen respektuar.
“Edhe më madhështore festën e Kurban Bajramit të sivjetmë e bën lirimi i masave antiCOVID, e në veçanti prania e mërgatës sonë që e begaton festën dhe e forcon institucionin e familjes. Ju ftoj të gjithëve që ta festojmë Bajramin, por njëkohësisht të kemi kujdes që të respektojmë masat antiCOVID sepse virusi është ende në mesin tonë. Në këtë ditë feste, edhe njëherë e lusim Zotin që t’i mëshirojë të gjithë ata që pësuan nga COVID-19, të prekurve t’u japë shërim të shpejtë me shpresë te Zoti se jemi në prag të kalimit të kësaj sfide globale”, tha Myftiu Tërnava.
Për më tepër, Myftiu Tërnava në mesazhin e tij, shprehu dhimbjen për njerëzit që humbën jetën nga përmbytjet në Gjermani, Belgjikë, Austri e Turqi, duke e lutur Zotin që sa më parë të stabilizohet gjendja e krijuar nga vërshimet vdekjeprurëse.
“Më lejoni që në prag të festës së Kurban-Bajramit, në Ditën e Arafatit, të shpreh dhembshurinë time të thellë për viktimat që humbën jetën nga përmbytjet në shtetet mike: Gjermani, Belgjikë, Austri e Turqi, si dhe solidaritetin tonë me familjarët e tyre, duke lutur Zotin e Madhërishëm që sa më parë të stabilizohet gjendja e krijuar”, tha ai.