Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Librit, përcjell KosovaPost.
Ajo ka thënë se kjo ditë na i rikthen kujtimet për periudhat e vështira, kur në Kosovë kishte mungesë të librave, si dhe shumë pak libra të përkthyer.
“Dita Botërore e Librit rikthen kujtimet tona në periudha të vështira, kur kishim mungesë të librave, numër të vogël të librave të përkthyer, por edhe libra të ndaluar. Kjo është historia e dhimbshme e shqiptarëve në raport me librin”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Dita Botërore e Librit rikthen kujtimet tona në periudha të vështira, kur kishim mungesë të librave, numër të vogël të librave të përkthyer, por edhe libra të ndaluar. Kjo është historia e dhimbshme e shqiptarëve në raport me librin.
Por, kjo ditë, po ashtu, na i sjellë në mend shkrimtarët e mëdhenj të kohërave që i dhanë ngjyra jetës dhe kurajo botës përmes letërsisë për të luftuar të keqen, duke nxitur edhe zhvillimin e njerëzimit dhe përpjekjet për një botë më të mirë.
Mësimdhënësit, bashkë me prindërit dhe gjithë komunitetin, duhet të shtojnë përpjekjet që të nxisin gjeneratat e reja për lexim, jo vetëm të librave shkollor. Libri, si një nga mjetet më të vjetra të komunikimit, mbetet një nga mundësitë më të mira për zhvillim arsimor e kulturor, por edhe për kënaqësi shpirtërore.