Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka lëshuar një telegram ngushëllimi për vdekjen e profesoreshës së njohur të muzikës, Seniha Spaniu, transnsmeton KosovaPost.
Në telegram, ajo ka thënë se e pikëlloi pa masë vdekja e Spahiut.
“Profesoresha Spahiu ka punuar si mësimdhënëse e muzikës në të gjitha nivelet e arsimit, për të mbetur kështu në kujtesën e shumë gjeneratave, si një njeri i përkushtuar për punën dhe për dashurinë ndaj profesionit”.
“Vepra e saj në përgatitjen e pedagogëve të muzikës, tekstet shkollore e universitare, puna kërkimore në këtë fushë, si dhe vlerat e saj njerëzore, do të jenë frymëzuese përgjithmonë për ne dhe gjeneratat që vijnë. Në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët e ish nxënësit e studentët e saj”, thuhet në telegram.
Seniha Spahiu vdiq të shtunën në moshën 86 vjeçare. Ajo ishte pedagoge si dhe studiuese e edukimit muzikor.