Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci thotë se edhe pas takimit me Avokatin e Popullit, kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar dialogun në mënyrë që të fillojë sa më shpejt procesi mësimor.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Nagavci thotë se pas takimit me avokatin e popullit, kanë pritur që SBASHK-u të ndërroj mendje dhe të ndalojë grevën, por sipas saj e kanë kuptuar në medie se ka ndodhur e kundërta.
Me këtë, Nagavci thotë se SBASHK-u po po e dëshmon se grevën nga një instrument e ka shndërruar në objektiv në vete.
Nagavci përsëri ju ka bërë thirrje të gjithë mësimdhënësve që të kthehen në shkolla dhe të vazhdojnë mësimin për nxënësit.
Shkrimi i plotë:
Me ftesë të Avokatit të Popullit, dje bashkë me zv.KM, Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati jemi takuar me Avokatin e Popullit.
Kemi shprehur gatishmërinë tonë për të vazhduar dialogun dhe fillimin e procesit mësimor.
Ndërkohë, sot kemi pranuar një letër nga Avokati i Popullit, zt, Naim Qelaj të cilën e kemi shqyrtuar dhe menjëherë i kemi kthyer përgjigje duke adresuar propozimet e tij.
Si Qeveri kemi pritur që të ketë gatishmëri edhe nga SBASHKU dhe të fillojë mësimi. Por, përmes mediave kemi parë tashmë që Sindikata ka dalë me qendrim se greva vazhdon.
Fatkeqësisht, Sindikata e Arsimit përveçse po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, ka dështuar dhe refuzuar edhe rolin ndërmjetësues të Presidentes e tash së fundi edhe të Avokatit të Popullit.
SBASHKU tanimë po e dëshmon se grevën nga një instrument e ka shndërruar në objektiv në vete. Si e tillë, greva e ka humbur çdo kuptim andaj, si ministre e Arsimit ftoj mësimdhënësit anembanë Kosovës që, nga nesër t’u kthehen shkollave.