Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është takuar sot me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, me të cilin tha se diskutuan për bashkëpunimin mes Ministrisë dhe Komunës, sidomos në fushën e arsimit, percjell Kosova Post.
“E informova se jemi të interesuar të investojmë në shumë projekte dhe na duhet edhe përkrahja dhe bashkëpunimi i tyre në identifikimin e hapësirave të nevojshme infrastrukturore. Ndër të tjera, diskutuam për Gjimnazin e specializuar matematikor në Prishtinë dhe problemet me të cilat po ballafaqohet kjo shkollë. Kërkova që si Komunë e Prishtinës të shikojnë mundësinë për gjetjen e një lokacioni për sigurimin e konviktit për nxënësit e këtij Gjimnazi ashtu siç ka qenë e paraparë që në fillim”, ka shkruar Nagavci në një postim në Facebook.
Tutje Ministrja tha se me Kryetarin diskutuan edhe për sigurimin e lokacionit për ndërtimin e shkollës së Muzikës në Prishtinë.
“Kryetari më informoi se tashmë është siguruar lokacioni dhe shumë shpejt do të vazhdohet me procedurat tjera”.
“Po ashtu, theksova nevojën e ndërtimit të çerdheve të reja e sidomos në pjesë rurale për çka kërkova bashkëpunim në identifikimin e hapësirave për ndërtimin e tyre”, deklaroi Nagavci më tej.
“Kryetari shprehu shqetësim sa i përket rekrutimit të stafit në shkollat profesionale. E informova se dokumentacioni që rregullon këtë çështje veçse është duke u rishikuar. Me kryetarin Rama u pajtuam që të shtyjmë përpara projektet e përbashkëta, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe cilësisë në arsim”, përfundoi Nagavci.