Autoritetet pro-ruse në territoret në Ukrainë njoftuan se nga data 23 deri më 27 shtator do të mbahen referendume për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës në Rusi, transmeton KosovaPost.
Referendumi do të mbahet në republikat e vetëshpallura të Donetsk (DNR) dhe Lugansk (LNR), si dhe në rajonet Kherson dhe Zaporozhye.
“Referendumi për hyrjen e LNR në Federatën Ruse si entitet përbërës i Federatës Ruse do të mbahet nga 23 deri më 27 shtator”, tha presidenti i Këshillit Popullor të LNR, Denis Miroshnichenko.
Pyetja e referendumit do të jetë: “A jeni pro hyrjes në Federatën Ruse?”
NATO dënoi referendumet ilegale
Në të njëjtën kohë, referendumet do të mbahen në rajonet e pushtuara të Kherson dhe Zaporozhye.
NATO dënoi planet e Rusisë për të mbajtur referendume në rajonet e pushtuara të Ukrainës dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve të refuzojnë “përpjekjet e dukshme ruse për pushtim territorial”.
“Referendumet e rreme në rajonet e Donetsk, Luhansk, Zaporozhye dhe Kherson në Ukrainë nuk kanë legjitimitet dhe janë një shkelje e rëndë e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha zëdhënësi i NATO-s.
Ai thekson gjithashtu se NATO nuk do të njohë “aneksimin e paligjshëm”./KosovaPost/.