Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë mbajtur ditën e djeshme një takim, ku është diskutuar në lidhje me tensionet mes Ukrainës e Rusisë dhe kërkesat e kësaj të fundit për garanci në mos zgjerimin e aleancës ushtarake në lindje, përcjell KosovaPost.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg përjashtoi çdo ndalim të zgjerimit të vazhdueshëm të organizatës ushtarake për të adresuar shqetësimet ruse të sigurisë, duke hedhur poshtë një pjesa kryesore e kërkesave të presidentit Vladimir Putin për zbutjen e tensioneve me Ukrainën.
“Ne nuk do të bëjmë kompromis mbi parimet thelbësore, duke përfshirë të drejtën e çdo kombi për të vendosur rrugën e tij, duke përfshirë çfarë lloj marrëveshjesh sigurie ku ai dëshiron të jetë pjesë”, deklaroi ai përpara gazetarëve në Bruksel pas përfundimit të takimit.
Kremlini kishe propozuar që NATO të ndalonte të gjitha planet e anëtarësimit, jo vetëm me Ukrainën, dhe të përfundojë stërvitjet ushtarake pranë kufijve të Rusisë, ndërsa në këmbim Rusia do të respektojë angazhimet ndërkombëtare që ka nënshkruar për kufizimin e stërvitjeve ushtarake.
Miratimi i një marrëveshjeje të tillë do të kërkonte që NATO të refuzonte një pjesë kyçe të traktatit të saj themelues.
Sipas nenit 10 të Traktatit të Uashingtonit të vitit 1949, organizata mund të ftojë çdo vend evropian të gatshëm që mund të kontribuojë në sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut, si dhe të përmbushë detyrimet e anëtarësimit. “Grumbullimi i trupave në kufi me Ukrainën, i kombinuar me kërkesat e sigurisë së Rusisë dhe historikun e saj në Ukrainë dhe Gjeorgji, dërgon një mesazh se ekziston një rrezik real për një konflikt të ri të armatosur në Evropë”, tha Stoltenberg.
Takimi i së premtes ishte i pari në një mori bisedimesh të nivelit të lartë që përfshin NATO-n, zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe Rusisë dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjatë javës së ardhshme.
“Ministrat e Jashtëm të të gjitha shteteve të NATO-s ritheksuan unitetin tonë në përgjigje të agresionit rus kundër Ukrainës gjatë takimit të sotëm të jashtëzakonshëm.
Përpara takimit të Këshillit NATO-Rusi, ministrat theksuan nevojën për diplomaci, dialog dhe shtensionim të situatës”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga Aleanca në Twitter.