Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se njësitë ruse në Ukrainë “nuk po tërhiqen, por po ri-pozicionohen”, transmeton KosovaPost.
“Rusia po përpiqet të ri-grupohet, të ri-furnizohet dhe të përforcojë ofensivën e saj në rajonin Donbas”, tha Stoltenberg në konferencën për media ku paraqiti raportin vjetor të tij për vitin 2021.
Stoltenberg tha se presioni vazhdon mbi kryeqytetin Kiev dhe qytetet e tjera të Ukrainës dhe “mund të presim veprime sulmuese shtesë që sjellin edhe më shumë vuajtje”.
Pas bisedimeve të paqes me Ukrainën në Stamboll, Rusia njoftoi se do të zvogëlojë ndjeshëm aktivitetet e saj ushtarake rreth kryeqytetit Kiev dhe qytetit verior Chernihiv për të rritur besimin për negociatat e ardhshme.
“Rusia vazhdimisht ka gënjyer për qëllimet e saj. Ne mund ta gjykojmë Rusinë vetëm nga veprimet, jo nga fjalët e saj”, tha Stoltenberg.
Ai kërkoi nga Rusia t’i japë fund bllokadës së Detit të Zi dhe të lejojë Ukrainën përsëri të eksportojë mallra.
Sipas shefit të NATO-s, është “jashtëzakonisht e rëndësishme” t’i jepet fund bllokadës, pasi ajo po shkakton rritje të larta të çmimeve në të gjithë botën duke ndikuar në produktet ushqimore, si dhe në mirëqenien dhe jetesën e njerëzve.
Bllokada e Moskës në Detin e Zi vonon eksportet thelbësore të drithërave, për të cilat Kombet e Bashkuara (OKB) shprehën shqetësimin se mund të shkaktojnë një krizë të thellë të urisë në vende të tilla si Jemeni dhe Etiopia.
– Bisedimet e paqes dhe kërcënimi me armë kimike
Lidhur me bisedimet e fundit të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll, Stoltenberg falënderoi Turqinë për organizimin e një nisme që synon t’i japë fund luftës.
“Unë përshëndes të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike për këtë luftë brutale, të pakuptimtë, përfshirë bisedimet e fundit në Turqi, si dhe falënderoj Turqinë për organizimin e këtyre bisedimeve”, tha Stoltenberg.
Ai përsëriti se çdo përdorim i armëve kimike do të ishte shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar dhe do të përballej me “pasoja të rënda”.
Aleatët e NATO-s, tha ai, i kanë ofruar mbështetje Ukrainës për të ndihmuar në mbrojtjen kundër çdo lufte kimike dhe biologjike, si dhe pajisje mbrojtëse për të zbuluar dhe identifikuar një sulm kimik.
Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, është përballur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.189 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, si dhe rreth 1.900 të tjerë janë plagosur, megjithatë paralajmërohet se shifrat mund të jetë shumë më të larta.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4 milionë ukrainas po ashtu kanë ikur në vendet evropiane, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.