Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk shprehu optimizëm të hënën për ndonjë përparim të konsiderueshëm në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Por ai tha se megjithëse negociatat që kanë në qendër zbutjen e tensioneve lidhur me Ukrainën mund të mos i zgjidhin të gjitha çështjet, ato mund të ofrojnë një rrugë për të shmangur konfliktin. Stoltenberg foli ndërsa zyrtarët amerikanë dhe rusë po mbajnë bisedime në Gjenevë, në fillim të një jave me aktivitet intensiv diplomatik të Perëndimit me Moskën.
“Nuk mendoj se duhet të presim që këto takime t’i zgjidhin të gjitha çështjet. Shpresa jonë është, që të mund të biem dakord për një rrugë përpara, që të mund të biem dakord për takime të mëtejshme, që mund të biem dakord për një proces”, tha Stoltenberg.
Ai foli në një konferencë të përbashkët shtypi me zëvendëskryeministren e Ukrainës, Olga Stefanishyna. Rusia ka paraqitur kërkesa sigurie, mes së cilave premtimin që aleanca të mos vazhdojë të zgjerohet në Evropën Lindore.
Jens Stoltenberg e bëri të qartë që kjo është e papranueshme. “E kemi thënë shumë qartë se nuk do të bëjmë kurrë kompromis përsa i takon të drejtës së çdo vendi në Evropë për të zgjedhur rrugën e vet, përfshirë marrëveshjet e sigurisë tek të cilat do që të marrë pjesë”, tha ai. Zëvendëskryeministrja ukrainase, Stefanishyna tha se “agresori nuk mund të vendosë kushte derisa tanket ruse të jenë larguar nga kufiri me Ukrainën”.parstoday.com.