Operacioni kundër kontrabandës me mallra, i shtrirë në shumë rajone të Kosovës, i kryer nga Policia e Kosovës, ka përfunduar me disa incidente në veri të vendit, transmeton Kosova Post.
Sipas policisë, në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës Jugore, operacioni është kryer me sukses. Por në pjesën veriore të Mitrovicës, ajo ka hasur në rezistencë të grupeve kriminale. Bilanci përfundimtar i operacionit, sipas të dhënave të policisë është 6 policë të lënduar dhe dhjetëra qytetarë të arrestuar, nën dyshimet se janë përfshirë në kontrabandim të mallrave.
Gjatë ditës ka pasur reagime nga më të ndryshmet, ndërsa qeveria është vënë nën thumbin e kritikave, se ka ndërmarr një veprim të nxituar.
Megjithatë, në një përgjigje për Telegrafin, nga NATO është konfirmuar se gjithçka ka qenë e sinkronizuar dhe e planifikuar.
“Policia e Kosovës po kryen një operacion të zbatimit të ligjit në të gjithë Kosovën. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet përkatëse në Kosovë dhe me përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar. Dhe mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij në OKB – sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nëpërmjet një reagimi gjatë ditës së sotme, është shprehur i vendosur për sa i përket luftimit të krimit të organizuar. “Krimet dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen” – ka thënë ai ndër të tjera. Operacioni, sipas policisë, përkundër këtyre incidenteve, ka përfunduar me sukses./KosovaPost/