Ndahet nga jeta Fadil Hasa, gjiganti i humorit shqiptar

Ndahet nga jeta Fadil Hasa, gjiganti i humorit shqiptar

Pas një sëmundjeje të rëndë, është ndarë të hënën nga jeta në moshën 78-vjeçare ‘Artisti i Merituar’ durrsak, autor i qindra roleve, humoristi Fadil Hasa.

Janë miqtë e tij Muharrem Hoxha, Haxhi Rama dhe Roland Koça që kanë dhënë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të kolegut, me të cilin kanë ndarë jo vetëm role në skenë, por edhe dekada jetë.

Homazhet do të mbahen ditën e martë nga ora 10:00 deri në 11:00 në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Hasa mbante titullin “Artist i Merituar”, ndërsa kishte marrë 4 herë titullin “Artisti më i mirë”. Lindur më 1940-n, Hasa ka luajtur shumë role në filmat shqiptarë dhe në teatër.

Ai ka luajtur rolin emblemë të Mao Ce Dunit në vitin 2007, për të cilin është vlerësuar edhe me titullin “Aktori më i mirë”. Rolet e tij janë vlerësuar edhe nga publiku i gjerë, për mënyrën se si ai trajtonte problemet e shoqërisë shqiptare me nota humori.

Ka luajtur role të ndryshme në komedi, skeçe, parodi, pantonima dhe forma të tjera të humorit. Për publikun shqiptar të njohura janë disa role si Lushi në “Sheqer, sheqer”; Rrema tek “Or ti i këshillit”; Hamdia në “Mysafiri i paftuar”; tek monologu “Qyli”, etj.

Pjesa “Dajrja”, krah kolegut Muharrem Hoxha, mbetet e paharruar, e po kështu edhe të tjera pjesë, si “Tekniku i lavatriçes”, “Tungjatjeta pehlivan”; apo copëza humori të cilat shfaqeshin për natën e fundvitit në ekranin e televizionit publik shqiptar, mbeten edhe sot si perla të humorit.

Fadil Hasa ka luajtur edhe në filma artistikë si “Zëvendësi i grave” (1987) me rolin e Shabanit; “Mao Ce Dun” (2007) si Hekuran Romalini dhe “Kronikë provinciale” (2009). Vendlindja e tij është Kruja, por ai njihet nga të gjithë si Fadili i Estradës së Durrësit.