Autoritetet thonë se shtatë persona në një universitet në Gjermaninë perëndimore kanë marrë trajtim mjekësor pasi kanë shfaqur simptoma të helmimit, kurse prokurorët kanë hapur hetime nën dyshimet për tentativë të vrasjes, transmeton Kosova Post.
Shtatë persona në një universitet në Gjermaninë perëndimore kanë marrë trajtim mjekësor pasi kanë shfaqur simptoma të helmimit, kurse prokurorët kanë hapur hetime nën dyshimet për tentativë të vrasjes, njoftuan autoritet, shkruan AA.
Punonjësit dhe studentët në Universitetin Teknik në Darmstadt, në jug të Frankfurtit, përjetuan probleme shëndetësore të hënën. Policia tha se kutitë e qumështit dhe kontejnerët e ujit në një nga ndërtesat në kampus duket se janë kontaminuar me një substancë të dëmshme midis të premtes dhe të hënës. Thuhet se lëngu i kontaminuar kishte një erë të fortë.
Policia dhe prokurorët thanë se kishin kontrolluar ndërtesat e tjera universitare si masë paraprake, por nuk gjetën diçka tjetër që lidhet me helmimin e dyshuar. Ata gjithashtu thanë se askush tjetër nuk kishte shfaqur simptoma.
Më tej në deklaratën e tyre thanë se po bëjnë gjithçka për të “identifikuar fajtorin ose fajtorët” dhe se, në bazë të informacioneve që posedojnë, nuk ka më ndonjë “rrezik akut”.
Prokurori Robert Hartmann deklaroi para gazetarëve se ndërsa autoritetet besojnë se infektimi mund të ketë qenë i qëllimshëm, ata aktualisht nuk kanë asnjë informacion që tregon ndonjë person specifik si fajtor të mundshëm. Ai tha se substanca është identifikuar, por prokurorët nuk do të zbulojnë emrin e saj tani për tani për shkak të hetimeve në vazhdim.
Një person është prekur “relativisht rëndë” nga helmimi, por jeta e tyre me sa duket nuk është më në rrezik, tha Hartmann.
“Jemi të tronditur nga krimi që ndodhi në universitetin tonë”, tha në një deklaratë presidentja e universitetit, Tanja Bruehl.