“Turqia dhe OKB-ja mund të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, përfshirë menaxhimin e burimeve natyrore, pyjeve dhe mbetjeve kimike dhe të përgjithshme”, tha zyrtari i OKB-së në Turqi, Rodriguez.
Ndryshimet klimatike janë një kërcënim “më i madh” sesa pandemia e COVID-19 në planin afatgjatë dhe kërkon veprim të menjëhershëm dhe kolektiv, deklaroi kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ndryshimet klimatike nuk janë vetëm një rrezik në vetvete, por janë gjithashtu një shumëzues i rrezikut për të gjitha shoqëritë tona”, tha kreu i delegacionit të BE-së në Turqi, Nikolaus Meyer-Landrut në takimin e zhvilluar dje me temën “Trajtimi i Ndryshimeve Klimatike” në kryeqytetin turk Ankara.
Komuniteti global, tha ai, ka kaluar fazën e vënies në dyshim të shkaqeve të ndryshimeve klimatike, megjithatë, ai ende ka një avantazh pasi di një mënyrë për të adresuar problemin: dekarbonizimi i ekonomive të vendeve.
Diplomati gjerman tha se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të shikojë ndryshimet klimatike si rrezik vetëm për efektet në rritje graduale në shoqëri dhe theksoi solidaritetin në shkallë globale.
BE-ja luajti rolin kryesor në Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe siguroi të gjitha llojet e mbështetjes për studimet e kryera nga Kombet e Bashkuara, theksoi Meyer-Landrut, duke shtuar se përfshirja e SHBA-së e ktheu përsëri fuqinë e marrëveshjes.
Në përpjekjet mjedisore të Turqisë, ai vlerësoi punën e saj për pastrimin e burimeve ujore dhe rritjen e konsiderueshme të kapaciteteve të trajtimit dhe riciklimit të ujërave të ndotura falë politikës mbarëkombëtare të mbetjeve zero.
Zyrtari i BE-së nënvizoi se Turqia ndërmori hapa të rëndësishëm në fushën e energjisë duke përdorur më shumë burime të rinovueshme, si energjia diellore dhe energjia e erës. Lufta e vendit kundër shpyllëzimit dhe përpjekjet për të rritur tokat pyjore luajtën rol thelbësor në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
“Turqia dhe BE-ja, si partnerë kryesorë ekonomikë, kanë shumë arsye për të luftuar së bashku kundër ndryshimeve klimatike” deklaroi ai, duke folur për gjeografinë, historinë dhe traditën e përbashkët së bashku me aktivitetet tregtare disa dekadashe.
“Ne jemi fqinj me të njëjtën gjeografi si Mesdheu dhe Deti i Zi, ne jemi të ekspozuar ndaj rreziqeve të ngjashme klimatike të tilla si përmbytja, thatësira, ngritja e nivelit të detit dhe valët e nxehtësisë”, tha Meyer-Landrut.
“Paqëndrueshmëri e paparë e klimës”
Gjithashtu ngjarjes iu adresua dhe Alvaro Rodriguez, zyrtari i ngarkuar i OKB-së në Turqi.
Ai tha se bota nuk është as e fortë dhe as e qëndrueshme sa duhet nga perspektiva ekonomike dhe sociale rreth ndryshimeve klimatike dhe të gjithë aktorët janë të vetëdijshëm për dëmet e saj në nivelin global.
“Shenjat nuk kanë qenë kurrë më të qarta. Ne po përballemi me një emergjencë klimatike. Ne tashmë jemi dëshmitarë të paqëndrueshmërisë së paparë të klimës, duke ndikuar në jetë”, tha Rodriguez. “Natyra gjithmonë kthen goditjen kur goditet. Ne duhet të punojmë së bashku dhe në solidaritet”, tha ai.
Rodriguez rikujtoi katastrofat natyrore të kohëve të fundit në Turqi që lidhen me ndryshimet klimatike, si përmbytjet, stuhitë e pluhurit dhe tornadot e vogla.
“Turqia dhe OKB-ja mund të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, përfshirë menaxhimin e burimeve natyrore, pyjeve dhe mbetjeve kimike dhe të përgjithshme”, tha Rodriguez, duke shtuar se misioni i OKB-së në Turqi gjithmonë ka mbështetur qeverinë dhe kombin turk në përputhje me partneritetin e tyre të fortë.
Të dy zyrtarët shprehën ngushëllimet e tyre për martirizimin e 13 shtetasve turq nga organizata terroriste PKK në Gara në veri të Irakut.