Sipas të dhënave të Institutit Evropian Eurostat, Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy shtetet që e kanë energjinë elektrike për familjarët, më të shtrenjtën në rajon, ndërsa Kosova, mbetet shteti ku kostoja për këtë energji, është më e lira, transmeton Kosova Post.
Sipas Eurostat, në fund të vitit 2019, kur janë të disponueshme të dhënat për Shqipërinë, një kilovat orë energji në Mal të Zi kushtonte 0.085 euro dhe në Shqipëri, 0.078 euro (pa përfshirë taksat). Energjia për familjarët është më e lira në Kosovë, me 0.053 euro/kvh. Më pas renditet Serbia (0.055 euro), Maqedonia e Veriut (0.067 euro) dhe Bosnjë-Hercegovina (0.073 euro), raporton Monitor.
Sipas të dhënave të Eurostat, në krahasim me 6-mujorin e parë 2015, çmimet e energjisë elektrike për familjarët (pa përfshirë taksat) për Shqipërinë janë rritur me rreth 15% deri në fund të 2019-s. Në 6- mujorin e parë të 2015-s, çmimi mesatar ishte 0.0676 euro për kilovat orë dhe në gjysmën e dytë të 2019-s arriti në 0.0778 euro.
Në Europë, më e lira është Ukraina (0.041 euro/kvh), Gjeorgjia (0.052) dhe e treta më e lira është Kosova.