Në Festivalin ‘I Këndojmë Lirisë’ u shpalosen vlerat e këngëve dhe valleve kombëtare

Në Festivalin ‘I Këndojmë Lirisë’ u shpalosen vlerat e këngëve dhe valleve kombëtare

Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, që sivjet, në Klinë, mbahet për herën e 18-të ka nisur me natën e parë me paraqitjen në skenë të shoqërive, ansambleve artistike, grupeve e rapsodëve nga troje të ndryshme etnike shqiptare.

Interesimi i spektatorëve për të qenë prezent në hapjen e festivalit ishte i madh ku në hyrje të hapësirës ku mbahej festivale, ku simbolikisht ishte vendosur porta triumfale ia mësynë para fillimit të festivalit shumë qytetarë të Klinës, rrethinës por edhe viseve të tjera të Kosovës, Shqipërisë e diaspora si dhe personalitete të shquara të jetës politike, shoqërore e kulturore.

Të pranishmit i përshëndeti dhe u uroj mirëseardhje kryetari i Komunës së Klinës Zenun Elezaj, i cili theksoi se ka nderin dhe privilegjin që si kryetar i omunës së Klinës, këtu në vendlindjen e Heroit të Kombit Mujë Krasnjqi, ta hap Edicionin e XVIII-të të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar me karakter tradicional “I këndojmë lirisë” – Klinë 2018, për të vazhduar për tri net në Klinën e bukur, në qytetin e rilindur falë shpirtit sakrifikues, vullnetit për të ndryshuar dhe punës së madhe për ta bërë ndryshimin pjesë të jetës sonë të përditshme.

“Që nga mbërritja e frymës së lirisë në Kosovë, përmes këtij festivali na janë krijuar mundësitë që të takohemi çdo vit në Klinë, t’i shkëmbejmë tek njëri-tjetri vlerat traditat dhe kulturën, të ndihemi një pjesë e vetme e kombit. Festivali tradicional ‘I këndojmë lirisë’  që mbahet që nga mbërritja e frymës së lirisë, i kushtohet simbiozës së fuqishme dhe të përjetshme: lirisë dhe heroit Mujë Krasniqi. Pushka e këtij luftëtari të paepur të lirisë dhe liria që gëzojmë ne sot u bënë dhe mbesin të pandara. Prandaj, kënga kushtuar heroizmit dhe lirisë gjithmonë do të kenë jehonë të madhe këtu dhe kudo tjetër në hapësirat tona shqiptare”, tha Elezaj.

Festivalin e hapi SHKA “Sharri” nga Hani i Elezit me një potpuri këngësh e vallesh, për të vazhduar me këngën ‘Diell e hanë shndrit n’këtë  dhe’ për të vazhduar me SHKA “Selman Kadria” nga Istogu me disa këngë e valle. SHKA “Dedë Gjon Lui” nga Tuzi, kishte ardhur në festival me këngët dhe vallet e trevës së tyre si dhe SHKA  “Tingujt e vendlindjes” nga Stagova e poashtu edhe Grupi polifonik nga Gjirokastra e rapsodët Kryeziu.

Një paraqitje  me këngë patën edhe “Shotë Galica”e Drenasit dhe SHKA  “Dervish Shaqa” nga Deçani. Moderatorë të festivalit folklorik  “I Këndojmë Lirisë” janë Shqipe Desku dhe Faik Gashi.

Festivali vazhdon sonte në natën e dytë konkurruese