Nga Blerim Gashani:
6 maj 1999, Klinë e Poshtme, Skënderaj
Sot mbushen 22 vjet nga data 6 maj 1999. Në këtë datë, makineria vrastare serbe sulmoi familjen Murtezaj.
Nga ky sulm vriten: gjyshi im, Imer Murtezaj – 85 vjeç (vdes pas disa ditësh nga plagët), gjyshja ime, Hatmane Murtezaj – 83 vjeçare (vdes në vend), dhe çika e dajës, Merita Murtezaj – 21 vjeçare (vdes në vend) si dhe plagosen 9 vetë, nga familja dhe mysafirët e strehuar aty.
Sot – dhe gjithmonë – kujtojmë plojën në familjen Murtezaj.
Dikush mund të thotë: më shumë se dy dekada kaluan, mjaft më me këto kujtime e pêrkujtime!
Unë them: NE ENDE NUK KEMI FILLUAR AS KUJTIMIN E AS PËRKUJTIMIN E DUHUR PËR VIKTIMAT E LUFTËS.
Sepse, kujtimi dhe përkujtimi bëhet për të mos i harruar ata dhe për të mos u përsëritur historia.
Gjithë çfarë kemi bërë si shoqëri, është se kemi përsëritur statistika.
Viti, data, ora, numri i të vrarëve, numri i të plagosurve…
(A i keni parë kronikat tona televizive: sot u përkujtua filan masakra, viti, kaq të vdekur….dikush nga paria që lexon fjalime të jashtëkohshme, që ia ka shkruar dikush tjetër….kaq!!!!)
A mund ta ruajmë kujtimin e viktimave të luftës me këto statistika?!
Jo. Gjenerata që nuk e ka jetuar këtë kohë, pas pak do t’i merr këto si statistika të thata, do t’i krahasojë me kushedi çfarë statistikash tjera dhe kaq. Kaq!
A do ta kuptojnë ata plojën e dhimbjen e familjes Murtezaj nga Klina e Poshtme e Skënderajt?
….kjo shoqëri e ka harruar frikën, tmerrin, dhimbjen, urinë, etjen, të ftohtit, shiun, borën, baltën dhe sidomos lotin…
Dhe këto e ndihmojnë dhe formojnë kujtimin dhe përkujtimin.
Jo statistikat dhe fjalimet e parisë sonë…
Qysh me ia tregu përmasën e tmerrit që ka pêrjetuar familja Murtezaj gjeneratës së re?
Kur më 6 maj 1999, serbët kishin sulmuar këtë familje – pa asnjë provokim, pa asnjë faj dhe pa qenë zonë lufte – anëtarët e familjes që kishin shpëtuar pa plagë, kishin vrapuar t’u ndihmonin 9 të plagosurve (sepse Merita dhe gjyshja tashmë nuk kishin asnjë nevojë për këtë botë mjerane).
Kishin nxituar e kishin lidhur plagë, kishin ndalur gjakderdhje, me frikë, me tmerr, me lot, me gjak.
Ia kishin lidhur edhe disa plagë gjyshit dhe kishin vrapuar tek të tjerët pa e ditur se a po shpëton dikush a jo.
Nën një tmerr e kaos të papërshkruar me fjalë, kishin kaluar gati dy ditë.
Pastaj reja e kishte parë se vjehrri i saj, Imeri (85 vjec) ishte zbehur sikur kufomat që po i përcillnin.
Kur reja e pyeti, ai i tha se nuk e ndjente dorën. Kur ia shpaluan, panë se ai e kishte edhe krahun ‘blozhë’, por duke e ditur se Merita ishte vrarë, nuk iu kishte treguar për plagët që nuk i shiheshin.
U kishte treguar për plagët që po kullonin gjak, por jo për të tjerat, që në atë lemeri, nuk po i shiheshin.
A po e kuptoni tmerrin?
A po e kuptoni lemerinë?
A po e kuptoni se çfarë kishte ndodhur në familjen Murtezaj?
Kishte ndodhur një aso tragjedie, sa gjyshi im (që kishte vdekur pas disa ditësh), nuk po tregonte disa nga plagët e tij deri te nesërmen.
A po e kuptoni plojën tani?
Nuk është puna të përkujtojmë data e përvjetorë dhe të kthehemi te shtëpia.
Ne duhet ta kuptojmë përmasën e plojës dhe tragjedisë që ka ndodhur në familjen Murtezaj dhe në mijëra familje të Kosovës.
Tek atëherë do të sigurohemi se historia nuk do të përsëritet.
Jo, duke kujtuar statistika, por duke kujtuar frikën, tmerrin, dhimbjen, urinë, etjen, të ftohtit, shiun, borën, baltën e lotin.