Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se qytetarët që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve të tyre të aksidentuar në Kroaci mund të kontaktojnë në numrin +383 (0) 38 200 76 000, shkruan Kosova Post.
Nga kjo ministri kanë thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet Kroate të cilët i kanë ndihmuar për ndihmën e dhënë në menaxhimin e situatës.
Njoftimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar qendrën operative për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë.
Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe me institucionet e tjera, janë të angazhuar në menaxhimin sa më të efektiv të situatës dhe koordinimin e veprimeve për të lehtësuar komunikimin me familjarët në këto momente të vështira.
Numri i kontaktit për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve të tyre është: +383 (0) 38 200 76 000 ose email: [email protected]
Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjenë me dhimbjen e familjeve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik. Të lënduarit i sigurojmë se do t’u qëndrojmë afër deri në shërimin e plotë.