Vërbofc, 30 prill 1999
(Apo: në vend të përkujtimit për axhën tim të vetëm, Hajrullah Gashani, që u vra më këtë datë bashkë me 350 shqiptarë të tjerë të pafajshëm, mes tyre edhe 24 fëmijë)
Shkruan: Blerim Gashani
Babai im më ka treguar shumë herë dhe me shumë detaje, atë çfarë kishte parë e përjetuar në fundprillin e vitit 1999 në fshatin tonë fqinj, Vërbofc. Me dhimbje, por me vendosmëri se këto duhen treguar, ai m’i ka pikturuar orët e pambarimta të ditës së 30 prillit, që i kishte kaluar bashkë me kushërinj e fatzinjë të tjerë në malin mbi fshat, ku po bëhej gjuetia makabre. Afër shtatëmijë forca policore, ushtarake e paramilitare serbe kishin rrethuar zonën dhe kishin filluar gjuetinë. Sepse, nuk ishte as luftë, as fushatë, as operacion ushtarak e as pastrim i terrenit. Babai im dhe të gjithë dëshmitarët e asaj dite fatkeqe më kanë thënë se ajo ishte një gjueti morbide. Mijëra serbë po e gostitnin veten, nën një dehje kolektive, me vrasje të shqiptarëve të pafajshëm.
Babai tregon se pas një dite, që dukej se kurrë s’do të përfundonte, ku vdekja kishte shtrirë mbretërinë e saj kudo përreth (në Vërbovc janë vrarë rreth 350 vetë, shumë prej tyre fëmijë – shumë viktima ende nuk janë gjetur), bashkë me 6-7 vetë të mbijetuar po përpiqeshin të dilnin jashtë rrethimit të hekurt. Derisa po ecnin me hapin e breshkës, nga kujdesi, frika, lodhja dhe tmerri, u duhej të kalonin nëpër një rrugë të ngushtë qerresh. Në errësirë, kishin vërejtur se kishte diçka në rrugë. Kur, me kujdes maksimal, kishin hyrë brenda rrugës së rrethuar me ferra, me lemeri kishin kuptuar se po ecnin nëpër trupa të vdekur. Dhjetëra kufoma ishin hedhur aty dhe të ngjeshur pranë njëri-tjetrit, të ngrirë e të palëvizshëm, sikur s’po donin t’ia nganin plagët shokut pranë, klithnin fuqishëm me heshtjen e tyre.
Babai më ka thënë se, thjesht, ishte e pamundur të mos hidhje hapin mbi trupa të pajetë dhe as ai e as unë s’po përdorim kurrfarë metafore këtu. Me dhimbje të papërshkrueshme, që i ndjen edhe sot dhe që ia shtojnë rrudhat e thella, babai thotë se krejt çfarë ishte përpjekur të bënte, ishte të mos i shkelte viktimat fatkeqe në kokë. Një mendim i atypëratyshëm po e urdhëronte se, së paku, nuk duhej t’i shkelte në kokë. Dhe ashtu, në një skenë të paimagjinueshme, kishin kaluar rrugën e frikshme për të kuptuar të nesërmen se ploja ishte shumë më e madhe. Qindra njerëz ishin vrarë, qindra të tjerë kishin qenë më pak fatlumë (mirë dëgjuat!), sepse ishin zënë të gjallë dhe gjatë ditëve në vijim, nën tortura të paimagjinueshme e të papërshkrueshme me fjalë dhe shkronja, kishin kërkuar vdekjen qindra herë. Zëri i tyre dhe heshtja e trupave të pajetë në baltën e fundprillit ’99 ende jehon. Jehon zhurmshëm në kokat tona!
P.S. Si duhet t’i përkujtojmë viktimat dhe si duhet të sillemi në raport me shtetin serb, shihni në komente!