Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi se nuk do të humbë asnjë minutë kohë në forcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, sapo të krijohet qeveria e re në Kosovë.
Ai tha se fokusi kryesor do të jenë marrëveshjet e nënshkruara deri më tani mes dy vendeve, të cilat në gjykimin e tij kanë mbetur në letër.
“Sapo të zgjidhet qeveria e re jonë në Kosovë menjëherë do të fillojmë bashkëpunimin me qeverinë e Shqipërisë, me kryeministrin Edi Rama meqë do të formojmë qeverinë para zgjedhjeve këtu. Do të trajtojmë me prioriotet marrëveshjet Kosovë-Shqipëri. Në 7 vite numri i marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri është treshifror, numri i zbatimeve njëshifror. Duhet të kalojmë nga marrëveshjet e shkruara në zbatim real që ndryshojnë jetën e qytetarëve shqiptarë në dy anët e kufirit, se jemi dy shtete dhe një komb”, tha Kurti.