Organizata “Kujdesi për Jetimët e Kosovës”, nëpërmjet një njoftimi në llogarinë zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se në Skenderaj dhe Han të Elezit, janë shpërndarë pako ushqimore për “sofrën e Fitër Bajramit”, shkruan Kosova Post.
Sipas njoftimit, me këtë rast ajo e shënoi edhe përmbylljen e aktiviteteve për shpërndarjen e pakove gjatë muajit Ramazan.
Ky është njoftimi i plotë:
Me datën 11/05/2021 punonjës të Organizatës “Kujdesi për Jetimët e Kosovës” në bashkëpunim me KFOR-in Turk i cili vepron në Kosovë, ka bërë shpërndarjen e 70 pakove ushqimore tek familjet nevojtare në komunën e Skenderajit dhe Hanit të Elezit.
Me këtë aktivitet Organizata “Kujdesi për Jetimët e Kosovës” shënoi edhe përmbylljen e aktiviteteve për shpërndarjen e pakove gjatë muajit Ramazan.
Organizata jonë gjatë muajit të Ramazanit ka shpërndarë rreth 1000 pako ushqimore, pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Prizren, Mamushë, Ferizaj, Hani i Elezit, Pejë etj. Duke u munduar të përfshijmë të gjitha shtresat në nevojë, familjet skamnore, familjet e dëshmorëve, nënat e jetimëve etj.
Gjatë këtij muaji të bekuar jemi munduar që tu gjindemi pranë këtyre familjeve me qëllim që bereqeti dhe begatia e këtij muaji të ndahet në çdo sofër të skamnorit.
Organizata “Kujdesi për Jetimët e Kosovës” falenderon bashkëpunëtorët e saj për besimin dhe gadishmërinë për bashkëpunimin me ne, si dhe për ndihmën e ofruar këtyre shtresave të shoqërisë.
Këto shpërndarje janë realizuar në bashkëpunim me organizatat vendore e ndërkombëtare siç janë:
Organizatat e dala nga Lufta, Organizatat vendore të Jetimëve, IHH, Sadak Tasi, Fetih Dernegi, Hasen, On Hayat etj.
Organizat “Kujdesi për Jetimët e Kosovës” do të vazhdoj me aktivitetet e saja humanitare edhe pas muajit Ramazan./KosovaPost/