Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri, Albana Fico deklaroi sot se, ISHP është në pritje të përgjigjeve të laboratorëve për të kuptuar nëse kemi mutacion të COVID-19 në vendin tonë.
Ajo mohoi të ketë për momentin riinfektime nga i njëjti virus me të njëjtën prerje gjenetike, pa pësuar mutacione.
Gjatë një interviste televizive, Fico nënvizoi se, shkak për rritjen e numrit të të infektuarve është mosrespektimi i masave të përcaktuara nga Komiteti i Ekspertëve. Ajo paralajmëroi se nëse vijon situata kështu, mund të ketë shtim të orarit policor, si dhe masa të tjera.
Ajo konfirmoi se situata është delikate, por nën kontroll. “Padiskutim kemi vënë re rritje të rasteve pozitive. Tashmë publiku është mësuar se shtimi i rasteve pozitive shoqërohet me shtimin e numrit të hospitalizimeve të rasteve të rënda dhe më pas të jetëve të humbura. Është një gjë, që padiskutim na ka vënë në alert maksimal dhe me daljen publike të Kryeministrit dhe Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sot, u tregua se gjëja më e rëndësishme është vlerësimi që të gjithë ne bashkë, jo vetëm autoritetet shëndetësore, duhet t’i bëjmë kësaj situate”,- tha Fico, raporton atsh, përcjell Albinfo.ch.
Ajo deklaroi se moshat më të prekura gjatë javëve të fundit janë ato të reja, duke nisur nga 15 vjeç. “Në fillim të pandemisë në mënyrë të përsëritur mesazhi ishte për të gjithë, por veçanërisht moshat e treta. Ne menduam dhe për fasha orare të caktuara, duke iu referuar kësaj moshe”, – tha ajo.
“Ajo që kemi thënë tashmë prej disa ditësh, është se ka një ndryshim për prekjen e moshave të reja. Mosha më e prekur vijon të mbetet 55-64 vjeç, më tej e ndjekur nga 35-44, 25-34 dhe më pas 15-24, që në total 70 % janë ky grup”, – theksoi Fico.
“Fundi i vitit gjithnjë ka një propabilitet të qarkullimit të më shumë të virusit, por shtojmë këtu uljen e vigjilencës së gjithë secilit, e mirëkuptoj këtu lodhjen psiko-emocionale të të rinjve, por këto na kanë çuar në rritje të numrave. Ulja e temperaturave na nxit të rrimë brenda dhe në dendësi të lartë, çka rrit përsëri mundësinë e infektimit. Mosrespektimi i masave nga tregtarët, edhe ky është një faktor. Edhe vaksinimi, pavarësisht se ka filluar, kërkon kohën e tij për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit. Të gjitha këto bashkë kanë sjellë dhe rritje të numrit të të prekurve, prandaj bëjmë apel për zbatimin e masave që kemi momentalisht, pasi ndryshe do shkojmë në masa të shtuara”, – tha Fico.
Fico shpjegon se nuk kemi raste të riinfektimit. Sipas saj, rastet për të cilat në përdorim term riinfektim, janë ato raste kur virusi ka pësuar mutacion, por edhe për këto raste duhen pritur analizat përfundimtare.
“Të gjitha rastet, ne i kemi dërguar për vlerësimin e sekuencimit. Të infektohesh nga i njëjti shtam, është riinfektim. Nuk mund ta përjashtojmë sekuencimin e këtyre rasteve. Me shumë mundësi ka që të jetë një mutacion i virusit dhe jo e njëjta. Duhet të presim analizat. Për sa i përket mutacioneve, ne vijojmë të dërgojmë mostra. Sekuencimi merr një kohë të caktuar. Ne bëjmë atë që quhet, prediagnozë. Duhet të jemi të kujdesshëm kur themi riinfektim. Virusi ka më shumë ‘fytyra’ sesa mendojmë. Për sa kohë që nuk kemi një përgjigje të sekuencimit të tyre, është e kotë të merremi me riinfektimit. Nga studimet botërore, riinfektimet numërohen në një nivel shumë të ulët”, – tha Fico.
Fico tha se virusi ka një vit që qarkullon dhe informacionet për të janë shumë të vogla. “Për pjesën e riinfektimit apo të tjera diskutime, virusi është i ri dhe normalisht ka mutacione, por do duhet pak më shumë kohë për të kuptuar se sa është mundësia e riinfektimit. Ende informacionet janë të pakta”, – tha ajo.
Lidhur me mundësinë e rimbylljes, Fico kujtoi se me rëndësi është zbatimi i masave. “Nuk është çështje mbylljeje, është gjëja më e lehtë. Mbylljet e herëpashershme mund të kenë ulur përkohësisht numrat, nuk ka qenë një zgjidhje përfundimtare. Plani ynë është vendosje masash të pranuara nga të gjithë. Ajo që ne duhet të bëjmë, është të përgjigjemi ndaj kësaj situate me seriozitet, si autoritetet shëndetësore, ashtu dhe qytetarët. Kur kjo të mbarojë, askush nuk do pyesë sa vetë u infektuan, por sa persona humbën jetën”, – tha Fico.