Viteve të fundit, zhvillimi dhe forcimi i demokracisë në Kosovë, nuk ka pasur ndonjë ndikim në zhvillimet në Shqipëri dhe anasjelltas, në kuptimin e përmiresimit substancial të raporteve. Raportet ndërmjet dy vendeve, në shumë sfera, karakterizohen me shumë barriera që e pengojnë forcimin e bashkëpunimit, në të gjitha rrafshet. Mbi të gjitha, skena politike shqiptare, madje, ka ditur të dhurojë momente acaruese…
Shkruan: Imer Topanica
Një studim i kryer nga Riinvest në bashkëpunim me institutin GAP i vitit të kaluar, i titulluar ‘Potenciali tregtar Kosovë – Shqipëri: pengesat dhe zbatimi i marrëveshjeve bilaterale’, numëruar një varg barrierash, të cilat vijojnë ta pengojnë forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Që nga viti 2014, kur filloi një seri e takimeve të qeverive të të dyja vendeve, e deri në vitin 2020, janë nënshkruar një varg marrëveshjesh. Prej tyre, studimi i Riinvest & GAP ka identifikuar 53 objektiva, ku 37 (apo 70%), dalin nga Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim, në nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë Kosovë – Shqipëri e nënshkruar në vitin 2014.
“Në bazë të të gjeturave, 49% e këtyre objektivave janë realizuar plotësisht, 36% janë realizuar pjesërisht, 9% nuk janë realizuar fare ndërsa për tre objektiva nuk kemi mundur të marrim përgjigje” – thuhet ndër të tjera në studim.
Është e çuditshme se si studimi renditë Shqipërinë menjëherë pas Serbisë, si e dyta në radhë, për sa u përket pengesave të ndryshme në aspektin tregtar.
“Me gjithë lidhjet e afërta historike, kulturore dhe numrin e madh të marrëveshjeve tregtare të nënshkruara nga Kosova dhe Shqipëria, kompanitë kosovare përballen me pengesa të ndryshme qoftë teknike apo edhe tarifore gjatë eksportimit të produkteve në Shqipëri apo kalimit tranzit. Shqipëria renditet e dyta pas Serbisë, sa i përket barrierave të raportuara jo-tarifore nga bizneset Kosovare. Këto të dhëna përputhen edhe me një studim të realizuar me bizneset eksportuese nga Kosova në vitin 2018, ku Shqipëria renditet e dyta pas Serbisë sa i përket pakënaqësisë me trajtimin nga autoritetet vendase të bizneseve kosovare.”
Disa nga pakënaqësitë, sipas studimit, ka të bëjë me: Kërkesat për noterizim të analizës fitosanitare, koston për skanerin në doganë, çmimet referencë, kosto për tarifë rrugore, korrupsioni nga oficerët doganorë, mungesa e besimit në partnerë biznesor, akciza diskriminuese në sasi të alkoolit, akciza në ambalazhë të plastikës etj.
Në përgjithësi, eksportet e Kosovës në Shqipëri, përfshijnë një numër të vogël produktesh, në krahasim me “invazionin” e mallrave që importohen nga Shqipëria.
“Në vitin 2018 Kosova eksportoi afro një të tretën e vlerës së mallrave që importoi nga Shqipëria. Mallrat më të eksportuara nga Kosova janë pijet e ndryshme alkoolike dhe jo-alkoolike, miell gruri, dhe tubat prej çeliku. Në anën tjetër, mallrat që kryesisht importohen nga Shqipëria përfshijnë produktet me bazë minerale. Qëllimi i anëtarësimit të të dy vendeve në CEFTA, ndër të tjera, ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet tyre. Megjithatë, edhe pse Kosova pati një rritje të eskporteve në Shqipëri pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, importet e Kosovës nga Shqipëria janë shumëfish më të larta se eksportet në Shqipëri.”
Kjo do të thotë se takimet dypalëshe, të shpeshta, në nivele të larta, nuk ia kanë dalë t’i shkrijnë të gjitha pengesat, ta forcojnë partneritetin dhe t’i vënë në zbatim të gjitha marrëveshjet.
Një varg sosh kanë mbetur të pazbatuara, të hedhura vetëm si ide të hedhura në letër, pa mundur të jetësohen, pavarësisht që janë cilësuar si shumë të rëndësishme. “Krijimi i bursës shqiptare të energjisë elektrike”; “Fondi Zhvillimor për Luginën e Preshevës”; “Dhoma Ekonomike Shqipëri-Kosovë” etj, janë disa prej tyre.
Më 2 tetor të vitit të kaluar, në Tiranë, të dy qeveritë u takuan përsëri, për t’i ripërtypur disa nga idetë, marrëveshjet dhe zotimet përpara opinionit shqiptar, por progres i madh, që nga ajo kohë, nuk u shënua.
Mbase pandemia COVID-19, iu servoi agjenda të veçanta, por domosdo jo në rrafshin e shkëmbimeve tregtare. Në rrafshin politik, ato kanë ditur të jenë të acaruara, siç e thamë në krye të herës. Pas fitores së Edi Ramës në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, skena politike shqiptare do t’i vë përballë përsëri dy antagonistë politikë. Antagonizmi i tyre vihet më së miri në pah nëpërmjet një deklarate të Kurtit, tash Kryeministër i Kosovës, i cili u pat cilësuar nga Kryeministri Rama si i paaftë në luftën diplomatike. Deklarata e Kurtit, e cila pat ardhur si kundërpërgjigje ndaj “sulmeve” të Ramës, vë në pah dallimet e theksuara në rrafshin politik, veçmas ato që kanë të bëjnë me raportet me Serbinë:
“Ka kohë që me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotëri Edi Ramën ne nuk e kemi të njëjtin qëndrim sa i përket Presidentit të Serbisë, kjo është një pikë e rëndësishme që ne dallojmë fort. Fatkeqësisht Kryeministri i Shqipërisë nuk guxon ta thotë të vërtetën për Presidentin e Serbisë, për çfarë motivesh dhe arsyesh, unë nuk jam në gjendje ta them. Ne duhet të bashkohemi për luftën çlirimtare, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kundër Serbisë e cila është kundër nesh. Nuk do të mund të bashkohemi si komb, nuk do të mund të bashkëpunojmë si shtete me qëndrime të ndryshme karshi Serbisë. Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë jo vetëm luksin por as të drejtën që të dallojnë për sa i përket Beogradit”.
Megjithëse është vështirë të parashikohet e ardhmja, koha i shtron disa detyra thelbësore të cilat duhet të vihen në zbatim. Eliminimi i barrierave, zbutja e dallimeve dhe përafrimi i qëndrimeve, duhet të bëhet. Për t’i jetësuar këto detyra, Shqipëria nuk duhet të sillet si patronja e Kosovës, e të provojë të bëhet zë i vetëm në rrafshin diplomatik. Nëse do ta ndih Kosovën, ajo duhet t’i harmonizojë interesat e saj në këtë rrafsh. Përndryshe, duke e marrë parasysh një konteksti politik ende të brisht ndërkombtarisht, sidomos duke i marr parasysh çështjet e pazgjidhura me Serbinë, hapat e ngutshëm të Shqipërisë mund ta dëmtojnë fort interesin e Kosovës. Krejt për fund, pyetja retorike që mbetet pezull në këtë rrafsh zhvillimesh është kjo: nëse arroganca e Ramës, bashkë me kryeneçësinë e Kurtit, do të shndërrohen në pengesa për t’i realizuar objektivat kombëtare?