Ne jemi udhëtarë. Që të gjithë! Edhe ata që kanë ikur para nesh, të tillë qenë. Edhe ne një ditë do t’i dalim në fund kësaj rruge. E rëndësishme është që, veprën e tyre, ndërsa ne kemi zënë e po çapitemi, duhet ta mësojmë përmendësh. Përndryshe, nëse s’kemi mësuar asgjë nga e kaluara, si mund të ecim drejt?
Shkruan: Imer Topanica
Ndërsa sot përkujtojmë poetin, publicistin e nacionalistin Bahri Fazliu (1971 – 1998), ende po më faniten pamjet nga “përplasja” e djeshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I bindur jam që një pjesë e madhe e deputetëve të zgjedhur, duke mos i përjashtuar ata që u përfshinë në zënkë, dinë pak për historinë e re të Kosovës. Ata duhet të mësojnë se përpara se të dilte në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), kishte një varg lëvizjesh politike e nacionaliste, të cilat e trazuan ndërgjegjen kombëtare dhe e ngritën zërin kundër shtypjes.
Kurrë nuk mund të peshohet drejt vlera e UÇK-së nëse harrohet LKÇK-ja (Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës). As pesha e LKÇK-së pa të burgosurit politikë. Do ta vrisnim të vërtetën nëse e harrojmë Adem Demaçin. Ndërsa nuk mund ta vlerësojmë Demaçin, dhe aq më pak ta kuptojmë «rezistencën paqësore aktive» të promovuar nga ai, po qe se nuk mësojmë për fillimet e vështira të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilës i priu Ibrahim Rugova që në krye të herës. Nuk do të mund t’i kuptojmë kurrë ato rrethana të vështira, të cilat e detyruan «rezistencën paqësore pasive» të udhëhequr nga ky i fundit, t’i formonte në fund të 90-tave ato që u njohën si Forcat e Armatosura të Kosovës (FARK).
Lufta e UÇK-së është vetëm episodi i fundit që çoi Kosovë drejt çlirimit. Helmimet e nxënësve, burgosjet, internimet, persekutimet sistematike, përjashtimet nga puna, greva e minatorëve, mësimet nëpër shtëpi-shkolla, protestat e studentëve, janë segmente po kaq të rëndësishme historike. Kontributi i figurave të shquara në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), kontributi i mjekëve në kuadër të Organizatës «Nënë Tereza», i mësimdhënësve në shtëpitë-shkolla, të cilët punuan pa paga për vite të tëra, vetëm e vetëm për të mos e pranuar sistemin paralel të imponuar nga regjimi i Sllobotan Millosheviqit (Slobodan Milošević 1941 – 2000). Burgosjet, internimet, vrasjet e persekutimet sistematike, që erdhën si ndëshkim nga ky sistem, pas suprimimit të autonomisë së 74-tës. Pasoi një mobilizim i përgjithshëm shoqëror. U lexua Deklarata e Pavarësisë dhe u miratua Kushtetuta e Kaçanikut. Revistat dhe gazetat që publikoheshin brenga në Kosovë dhe ato që publikoheshin në diasporë, janë pjesë e historisë. Fjala vjen, po t’i gjendej dikujt në dorë «Republika», a «Alternativa», përfundonte në burg. Pra, bëhet fjalë për një periudhë të ngjeshur me ngjarje historike dhe zhvillime dramatike.
Vendi dha shumë dëshmorë. Kontributi i tyre po mbulohet nga harresa kolektive. Sot kanë guxim disa të thonë se përfaqësojnë vlerat e tyre dhe janë për jetësimin e amanetit të tyre. Por siç e thotë Bahri Fazliu nëpërmjet poezisë:
Nëse dëshironi të dini amanetin e dëshmorëve,
mos pyesni kë kishin afër në çastin e fundit,
secili prej nesh ka qenë prezent.
Nëse dëshironi t’i nderoni dëshmorët,
mos shkoni te varret e tyre për të vendosur lule,
lulet do t’u vyshken në dorë.
Nëse…
Çdo gjë që u intereson të dini për dëshmorët,
ecni në rrugën e tyre,
aty do të gjeni gjeninë e tyre.
Uniformën e UÇK-së e veshën edhe anëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), por këta nuk ishin pronarët e saj. UÇK i takon Kosovës. Është vërritja e saj për liri dhe demokraci!
Historia duhet të tregohet e plotë, pa censurë. Rrymat politike, lëvizjet ilegale, personalitetet e ndryshme që iu prinë këtyre zhvillimeve, deri te ushtarët, përfaqësonin rryma ideologjike të ndryshme, për të mos thënë edhe përjashtuese me njëra tjetrën. Kishte ish-titistë, e enveristë, kishte muslimanë e katolikë, kishte demokratë e monarkistë. Por që të gjithë kishin një qëllim: Çlirimin e Kosovës! Si përfundim, veshën të njëjtën uniformë, ndonëse deri te akti mobilizimit për luftë çlirimtare, ndoqën rrugë të ndryshme dhe përdorën mjete të ndryshme për ta kundërshtuar sistemin.
Kemi hyrë në dekadën e tretë pas çlirimit dhe kemi bërë pak për t’i ruajtur këto dëshmi. Andaj, nuk është hiç e befasishme nëse ka deputetë në parlamentin e Kosovës, të cilët mendojnë se janë pronarë të UÇK-së…
Ne jemi udhëtarë, ashtu siç ishin të tjerët para nesh. Paraardhësit tanë mbollën pemë përgjatë rrugës në të cilën ne kemi zënë të çapitemi. E ne, përveç që ende nuk kemi mësuar të mbjellim, kemi nisë t’i shkulim pemët e mbjella nga ata.