Sipas njoftimit zyrtar, marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit ‘Hasan Prishtina’ dhe Universitetit të Tiranës, pritet të nënshkruhet nesër, raporton Kosova Post.
“Më qellim që në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës të nxitet dhe të zhvillohet shkenca, arti, edukimi fizik dhe sporti; të formohen specialistë dhe të përgatiten shkencëtarë të rinj; të ofrohen mundësi të barabarta për të përfituar nga arsimi i lartë dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës; të integrohet mësimdhënia me kërkimin shkencor; të nxitet bashkëpunimi dhe ndërkombëtarizimi në fushën e arsimit të lartë, në Rektoratin e Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, do të nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet UP-së dhe Universitetit të Tiranës” – thuhet ndër të tjera në njoftim.
Nënshkrim i marrëveshjes do të bëhet nga Naser Sahiti, rektori i UP-së, dhe rektori Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha.
Palët, me anë të nënshkrimit të marrëveshjes, shprehin gatishmërinë për të bashkëpunuar për hartimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, si edhe për zhvillimin e çdo lloj veprimtarie apo aktiviteti tjetër të nevojshëm në fushën e arsimit të lartë./KosovaPost/