Brazili e ka nisur si kampion rrugëtimin në Copa America, pasi ka mposhtur me rezultatin 3-0 Venezuelën që kishte disa mungesa për shkak të infektimit me COVID-19.
Ndeshja është zhbllokuar që në minutën e 24-t, kur Marquinhos nuk fali pasi një situate të krijuar pas një goditjeje këndi. Mbrojtësi, këtë herë jo me kokë, e devijoi topin me këmbë dhe e çoi në rrjetë.
Ky ishte goli i vetëm në pjesën e parë, ndërsa në të dytën Brazili fitoi një penallti. Sulmuesi Neymar e dërgoi topin në rrjetë dhe praktikisht ndeshja ishte mbyllur, pavarësisht se seria e golave jo.
Gabigol shënoi golin e tretë një minutë para fundit të ndeshjes, pas një asisti të Neymar. Ky i fundit ka barazuar rekordin e Pele (47 asiste) me kombëtaren e Brazilit.
Ndeshja tjetër e Copa America ishte ajo mes Kolumbisë dhe Ekuadorit, që përfundoi me rezultatin 1-0. Cardona në minutën e 42-të shënoi golin që i dha pikët e plota Kolumbisë. / abcnews.al