Të paktën 20 persona humbën jetën dhe mbi 500 të tjerë u plagosën në një seri prej katër shpërthimesh në një kazermë të ushtrisë në Bata, qyteti më i populluar i Guinesë Ekuatoriale, sipas mediave lokale, transmeton, Kosova Post.
Shpërthimi ndodhi të dielën, sipas një deklarate nga Presidenti i Guinesë Ekuatoriale, Teodoro Obiang Nguema Mbasogo.
Ai tha se incidenti ishte për shkak të “neglizhencës dhe përdorimit pa kujdes të dinamitit” në kazermat ushtarake në lagjen Mondong Nkuantoma që dëmtoi pothuajse të gjitha shtëpitë dhe ndërtesat në Bata.
Presidenti i vendit tha se udhëzoi autoritetet të ndërmerrnin hetimet e nevojshme që të sqarohet plotësisht se çfarë ka ndodhur, dhe përgjegjësitë që mund të dalin, si dhe përcaktimin e dëmeve të shkaktuara.
“Profesionistët tanë shëndetësorë vazhdojnë të ofrojnë kujdes në vendin e tragjedisë dhe në qendrat shëndetësore”, deklaroi Ministria e Shëndetësisë.
Të plagosurit u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm Bata, Spitalin La Paz dhe Spitalin Nuevo Inseso, sipas ministrisë.
Bata është port dhe qytet tregtar në territorin e Guinesë Ekuatoriale.
Ekonomia e vendit mbështetet në masë të madhe në industrinë e saj të naftës dhe gazit natyror, e cila përbën më shumë se 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), 80 për qind të të ardhurave fiskale dhe 86 për qind të eksporteve të saj në vitin 2015, sipas raporteve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.aa.