Ish drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) Mentor Shala, po kritikohet për një status, siç është cilësuar: skandaloz, të publikuar në murin e tij në rrjetin social Facebook.
Në këtë status, siç ka raportuar Kosova Post gjatë ditës, Shala i drejtohet një deputetjeje të Kuvendit të Kosovës, si “bukuroshe” e madje e fton edhe për darkë.
Arbëreshë Kryeziu Hyseni, deputete nga radhët e LV-së, e ka cilësuar këtë status si “skandaloz”.
“Mentor Shala aktualisht është ligjërues në AAB. Ka qenë drejtor i përgjithshëm i RTK-së. E me këtë të fundit, e lidhë shumëçka. Sa e di, është i martuar dhe madje ka edhe fëmijë. Ky zotëria, iu paska drejtu në këtë mënyrë një deputeteje të Kuvendit të Kosovës, të cilën duke e quajtur bukuroshe e fton madje edhe në darkë. Definitivisht skandaloze. Dhe aspak e tolerueshme. Dhe aq më tepër shqetësuese, kur vjen nga dikush që dikur ka udhëheq me institucionin ku do të duhej të kultivohej barazia dhe të promovohej edukimi” – ka shkruar Hyseni.
Shala, siç është raportuar gjatë ditës, ka reaguar pasi deputetja Doarsa Kica – Xhelili, e ka përmendur atë gjatë një interviste dhënë për një televizion kosovar./KosovaPost/