Ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2018 në Kosovë, Maqedoni, dhe Shqipëri (3. Shqipëri)!

Ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2018 në Kosovë, Maqedoni, dhe Shqipëri (3. Shqipëri)!

Çështjet politike, përpjekjet për proceset integruese në organizatat evropiane, vizitat e shpeshta të ndërkombëtarëve dhe protestat ishin vetëm disa nga çështjet kryesore të një viti më parë dhe që vazhduan të jenë aktuale edhe gjatë vitit 2018, shkruan Kosova Post

/PRISHTINË /SHKUP/TIRANË/ –KOSOVA POST

Çështjet politike, përpjekjet për proceset integruese në organizatat evropiane, vizitat e shpeshta të ndërkombëtarëve dhe protestat ishin disa nga çështjet kryesore të një viti më parë dhe që vazhduan të jenë aktuale edhe gjatë vitit 2018 në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Ato janë disa nga zhvillimet më të rëndësishme në tre vendet e rajonit të cilat shënuan vitin 2018. Këtu po i sjellim në mënyrë kronologjike, ku fillimisht do ti rradhisim të Shqipërisë, në artikullin e dytë ato të Maqedonisë dhe në vazhdimin e tretë, të Kosovës.

– SHQIPËRI

26 mars – Shqipëria shpalli persona të padëshirueshëm dy diplomatë rusë. Vendimi erdhi pas sulmit me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus në Britani, Sergei Skripal, ndërsa me këtë Shqipëria iu bashkua vendeve që vendosen dëbimin e diplomatëve rusë lidhur me këtë çështje.

31 mars – Qytetarë të Kukësit dhe zonave përreth protestuan pranë tunelit të Kalimashit në “Rrugën e Kombit”, duke kundërshtuar tarifën për kalimin e automjeteve, protestë e cila u shoqërua me tensione dhe plagosjen e disa punonjësve të policisë, si dhe me protesta të tjera për reduktimin e tarifave.

30 prill – Shqipëria dhe Greqia filluan zyrtarisht në Tiranë negociatat mes tyre për çështjet e hapura mes dy vendeve, me fokus bisedimet për kufizimin e zonave detare. Dy vendet mbajtën në prill raundin e parë të bisedimeve për kufizimin e zonave detare.

3 korrik – Në qytetin e Shkodrës u mbajt mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, ndërsa mes dy vendeve u nënshkruan edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.

27 gusht – Kryeministrat e disa vendeve të rajonit u mblodhën në Durrës për takimin informal me temë “Integrimi i ekonomisë rajonale”, ndërsa në fokus të diskutimeve të tyre ishin edhe çështjet që lidhen me integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

7 shtator – Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll fitoi me rezultatin 1-0 përballë Izraelit në ndeshjen e parë të vlefshme për UEFA Ligën e Kombeve, ndeshje e cila u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”.

14 shtator – Inaugurohet kompania e parë kombëtare e fluturimeve e Republikës së Shqipërisë, Air Albania, e krijuar në partneritet me Turkish Airlines.

17 shtator – Filloi procesi mësimor në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri për vitin e ri shkollor 2018-2019.

4-5 tetor – Në Tiranë u mbajt Ministeriali Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor për çështjet e drejtësisë dhe punëve të brendshme.

18-19 tetor – Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me drejtues të lartë të vendit, ndërsa mori pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në universitetin e Fondacionit Turk Maarif, Universitetin New York Tirana.

27 tetor – Dha dorëheqjen ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, i cili që prej 13 shtatorit 2017 mbante postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.

28 tetor – Kostandinos Kaçifa, 35 vjeç, banor i minoritetit grek në Qarkun e Gjirokastrës mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në këtë qark. Kjo ngjarje shkaktoi reagime të shumta në Shqipëri dhe Greqi.

3 nëntor – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nuk dekretoi emërimin e Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë. Ky mosdekrim shkaktoi përplasje mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Presidencës së Shqipërisë, pasi kryeministri Rama e ripropozoi për dekretim përsëri Lleshajn në postin e ministrit të Brendshëm.

5 nëntor – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri më 30 qershor të vitit 2019.

8 nëntor – Në fshatin Bularat të Qarkut të Gjirokastrës u mbajt ceremonia mortore për shtetasin Kostandinos Kaçifa, i njohur si pjesëtar i minoritetit grek. Pjesë e ceremonisë së varrimit ishin edhe qindra shtetas nga Greqia, ndërsa nuk munguan as simbolet greke, por edhe thirrjet ekstremiste dhe antishqiptare.

10 nëntor – Shqipëria shpalli person të padëshirueshëm në vend, eurodeputeten Eleni Theocharous, pas pjesëmarrjes dhe deklaratave të saj në ceremoninë mortore në Qarkun e Gjirokastrës për minoritarin grek, Kostandinos Kaçifa. Ndërkohë Shqipëria shpalli edhe 52 persona me shtetësi greke të padëshiruar në vend “për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të vendit dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues”.

22 nëntor – Protesta e banorëve të Tiranës që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe të kryeqytetit u shoqërua me tensione dhe përplasje para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, ku mbetën të plagosur disa policë, mes tyre edhe Ina Nuka, e cila në 23 nëntor dërguar në Turqi për trajtim të specializuar mjekësor.

5 dhjetor – Studentët e universiteteve publike në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit, filluan një protestë duke kërkuar përgjysmimin e tarifave vjetore të studimeve, përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, rritjen e buxhetit për arsimin, si dhe disa kërkesa të tjera. (AA)