Presidenti i Gabonit, Ali Bongo Ondimba, njoftoi se vendi i tij do t’i bashkohet Komonuelthit këtë vit duke u bërë anëtari i 55-të i këtij komuniteti.
Ali Bongo e përshkroi anëtarësimin e Gabonit në Komonuelth si një zhvillim premtues dhe shtoi: “Kjo është një pikë kthese shumë e rëndësishme për vendin tonë.”
Bëhet e ditur se Gaboni do të ruajë identitetin e tij frankofon edhe pse do t’i bashkohet Komonuelthit të Kombeve.
Me një popullsi prej rreth 2,5 milionë banorësh, Gaboni e filloi procesin zyrtar për t’u përfshirë në Komonuelth në vitin 2020.
Komonuelthi i Kombeve është një shoqatë politike me 54 shtete anëtare nga 5 kontinente (Amerikë e Veriut, Evropë, Afrikë, Azi dhe Australi) dhe pothuajse të gjitha janë ish-koloni ose territore të mëparshme të Perandorisë Britanike.
Mes tyre vetëm Mozambiku dhe Ruanda nuk kanë lidhje koloniale me Mbretërinë e Bashkuar.