Policia e Kosovës ka njoftuar se të enjten (18 mars) rreth orës 20:30 ka pranuar informatën për një person të plagosur në lagjen e Xhamisë në Drenas, i cili po merrte trajtimin mjekësor në QKUK Prishtinë, përcjell KosovaPost.
Menjëherë pas informatës policia kishte filluar një hetim lidhur me rastin me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.
“Që në fazën e hetimit preliminar, hetuesit policor kishin ngritur dyshimet lidhur me versionin e paraqitur, andaj kishin zgjeruar rrethin e veprimeve hetimore të cilat sot rezultuan me zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Mirëpo, policia ka ngritur versionin e hetimit se A.B, (48 vjeç) në lokalin e tij, me armë zjarri, aksidentalisht kishte plagosur vetveten në këmbën e djathtë.
“Më pas po i njëjti i ndihmuar edhe nga dy persona të tjerë, ka paraqitur rrethana të rrejshme lidhur me ngjarjen.
Pjesë e veprimeve për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ka qenë edhe gjetja dhe sekuestrimi i armës që dyshohet të jetë arma e shkrepur në rast revole e tipit ZORAKI, kalibri 7.65mm, si dhe pesë copë fishek”, thuhet në njoftim.
Pas nxjerrjes në pah të rrethanave të reja të ngjarjes, në koordinim me prokurorin e shtetit është ri cilësuar rasti nga “Vrasje në Tentativë” në “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.