Avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, ka komentuar protestën e sotme të organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, para selisë së Partisë Demokratike. Aty pati persona të lënduar, gaz lotsjellës, hedhje uji dhe 20 persona të shoqëruar në polici.
Ngjela për gazetën “Bota sot”, e ka quajtur këtë protestë turp kombëtar dhe lëvizje anti-shqiptare, teksa ka kërkuar arrestimin e Berishës.
“Një turp Kombëtar; por jo i vetmi i krijuar nga Sali Berisha. Pyetja e fundit që bëni ju, është e para: Nëse ka shtet në Shqipërisë; Sali Berisha duhet arrestuar që në këto çaste. Krimi Berisha i kësaj dite është në flagrancë. Dhe është saktë një lëvizje antishqiptare”, ka deklaruar avokati.
Ai më tej ka akuzuar Berishën se i është bashkuar Moskës dhe Beogradit për të destabilizuar Shqipërinë.
“Eshtë në favor të destabilizimit të Shqipërisë. Kush e kërkon destabilizimin e Shqipërisë? E kërkon me ngulm Moska dhe Beogradi. Po Saliu? Është bashkë me ta: kjo është logjika e kësaj ngjarjeje…Atëherë? Ngjarja e sotme është krim kundër Shqipërisë. Krim i drejtuar nga Sali Berisha”, ka thënë Spartak Ngjela.
Ai ka shtuar se tani duhet të veprojë pushteti gjyqësor i Shqipërisë.
”Fjalën e ka tani forca e shtetit, sidomos pushteti gjyqësor i saj”, është shprehur avokati.
Në një konferencë për media, pas përfundimit të protestës, Berisha ka thënë se protesta nuk ishte e dhunshme, mirëpo sipas tij, u pa që “selia e PD nuk është e PD-së, por është objekt i Ministrisë së Brendshme të “narko-qeveris딓.
Ai ka paralajmëruar se protestat paqësore do të vazhdojnë. Duke vlerësuar vendosmërinë e protestuesve, Berisha theksoi se shumë shpejt do të njoftohet protesta e radhës.