Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar dy ilaçe të reja për trajtimin e pacientëve me sëmundjen COVID-19, përcjell KosovaPost.
Ilaçi baricitinib (një lloj i ilaçit sikurse frenuesi Janus kinase [JAK] që përdoret për trajtimin e artritit reumatoid), sipas OBSH-së, rekomandohet të përdoret te pacientët e sëmurë rëndë dhe ata kritikë, në kombinim me kortikosteroidet, që janë ilaçe të fuqishme kundër inflamacioneve dhe forcojnë përgjigjen imunitare.
OBSH-ja tha se ky rekomandim bazohet në të dhënat që sugjerojnë se përmirëson shanset e mbijetesës dhe zvogëlon nevojën që pacientët të futen në ventilator dhe nuk është gjetur se shkakton efekte anësore.
Ekspertët e OBSH-së thanë se baricitinib ka efekte të ngjashme sikurse ilaçet e tjera për artritin, frenuesit e IL-6 (ilaçe anti-inflamatore), prandaj nëse këto dy ilaçe janë në dispozicion, kjo organizatë rekomandon që pacientët të zgjedhin njërën nga to “në bazë të kostos, disponueshmërisë dhe rekomandimit të mjekut”. Megjithatë, nuk rekomandohet që këto dy ilaçe të merren në të njëjtën kohë.