Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl.
Osmani i shprehu falënderimin për mbështetjen e gjithanshme të këtij shteti ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë në menaxhimin e pandemisë dhe ngritjen e kapaciteteve për politikbërje efikase.
Tutje, Presidentja Osmani gjatë takimit ka vlerësuar mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë, e cila nëpërmjet një Memorandumi të Mirëkuptimit do t’i ofrojë Zyrës së Presidentes, ekspertizë në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, si dhe fushat e tjera, varësisht nga nevoja.
Presidentja Osmani dhe ambasadori i Norvegjisë Grøndahl gjithashtu diskutuan për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme për qytetarët afganë, përfshirë edhe familjet e tyre.
Kurse, ambasadori Grøndahl, shprehu vlerësimin e Mbretërisë së Norvegjisë për vendimin e Republikës së Kosovës për të ofruar strehim për qytetarët afganë.