Në mungesë të kuorumit, votimi i rezolutës së propozuar nga tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK për vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të çmimit të energjisë është lënë për ndonjë seancë të radhës. Në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri prezantoi gjashtë pikat që përbënin këtë rezolutë.
Si pika kryesore ishin që vendimi i ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë të anulohet menjëherë, dhe Kuvendi i Kosovës të iniciojë shkarkimin e Bordit të ZRrE-së për mungesë profesionalizmi.
“Vendimi i ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë të anulohet menjëherë, Kuvendi i Kosovës të iniciojë shkarkimin e Bordit të ZRrE-së për mungesë profesionalizmi. Qeveria të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike linearisht për gjithë qytetarët dhe bizneset, Qeveria të heq TVSH-në për energjinë elektrike deri në përfundim të krizën energjike, Qeveria të angazhohet për themelimin e fondit për konsumatorët në nevojë ashtu siç e obligon Ligji për energji. Të nisin konsultimet për tarifat e reja që duhet të jenë pjesë e strategjisë afatgjate të energjisë ndërtimit të kapaciteteve dhe stabilitetit të furnizimit”, tha ai.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike dje ka miratuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët, ndërsa vendimi nga sot ka hyrë në fuqi dhe vlen deri në mars të vitit 2023.